Botë

Rusia dhe Kina po përgatiten të krijojnë një sistem pagese pa përdorur SWIFT-in

Rusia dhe Kina po punojnë për hapjen reciproke të llogarive të kompanive për të shmangur përdorimin e SWIFT-it. Këtë lajm e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri rus Alexander Novak, shkruan Skz News.

Sberbank, banka më e madhe ruse, u përjashtua nga sistemi SWIFT me paketën e gjashtë të sanksioneve dhe përveç Sberbank, dy banka të tjera të mëdha ruse u përjashtuan nga ky sistem.

Novak theksoi se pagesat sipas kontratave për furnizimin me gaz nga Rusia në Kinë tashmë janë transferuar në monedhat kombëtare të të dy vendeve. Për më tepër, llogaritjet për blerjen e naftës, derivateve të naftës dhe qymyrit transferohen në mënyrë aktive në rubla dhe juanë, shtoi ai.

"Puna e tillë bën të mundur parandalimin e rreziqeve dhe promovon kalimin e rublës dhe juanit në statusin e monedhave rezervë botërore. Në këtë drejtim, Banka Qendrore e Rusisë dhe Banka e Kinës po punojnë për mundësinë e hapjes së llogarive për kompanitë ruse në Kinë, kompanitë kineze në Rusi dhe krijimi i një sistemi pagese pa përdorur SWIFT”, shtoi zëvendëskryeministri.

Novak ka thënë se Rusia dhe Kina po planifikojnë gjithashtu të zhvillojnë bashkërisht prodhimin e pajisjeve për sektorin e energjisë.

"Sot, Kina është një nga prodhuesit kryesorë të pajisjeve në sektorin e naftës dhe gazit. Tashmë ka bashkëpunim të ngushtë për furnizimin e pajisjeve të naftës dhe gazit për projektet në Rusi", theksoi ai.