Botë

Varhelyi optimist se Bosnja mund të marrë në dhjetor statusin e vendit kandidat

 

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha se është optimist se Bosnjë e Hercegovina do të marrë statusin e shtetit kandidat nga blloku evropian në muajin e ardhshëm, nëse plotësohen disa kushte që Brukseli i ka paraqitur së fundmi.

Duke folur gjatë një takimi në Sarajevë, më 28 nëntor, me anëtarët e presidencës trepalësh të Bosnjës, Varhelyi bëri të ditura kushtet. Në to përfshihet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat gjyqësore dhe të migrimit, por edhe garancitë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjen e gazetarëve.