Rreth 40 për qind e popullsisë në Kiev kanë ngelur pa energji elektrike, njoftoi kreu i rajonit, Oleksiy Kuleba, raportoi BBC-ja të hënën.
Ai tha se situata është e vështirë në termocentralin Fastiv, në Sviatoshynsky dhe në Vasylkiv.
“Atje puna vazhdoi gjatë gjithë fundjavës. Njerëzit qëndronin edhe natën për t'i furnizuar shtëpitë me energji elektrike”, njoftoi Kuleba, duke shtuar se tashmë janë krijuar 278 pika ku banorët mund të ngrohen dhe t'i mbushin bateritë e telefonave.
Të mërkurën e 23 nëntorit, Rusia nisi një sulm masiv mbi infrastrukturën ukrainase.
Shumë rajone mbetën pa energji elektrike dhe riparimet zgjatën më shumë se zakonisht.
Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se pritet të ketë ende sulm të Rusisë mbi civilë.