Botë

Pens lavdëron Malin e Zi për guxim ndaj presionit rus

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pens, mbrëmë në Podgoricë i ka lavdëruar liderët e Malit të Zi për qëndrim ndaj presionit rus.

“Guximi juaj, veçanërisht në ballafaqim me presionin rus, e inspiron botën dhe unë ju lavdëroj për këtë”, tha Pence gjatë darkës me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, dhe me liderët e tjerë të këtij vendi.

Mike Pens tha se udhëtimi i tij në këtë vend të vogël me 620 mijë banorë është “testament për faktin se Amerika nuk ka aleatë të vegjël, por ka vetëm aleatë të fortë”.

Zyrtari i lartë amerikan arriti në Mal të Zi, që është anëtari më i ri i NATO-s, pas vizitës në Gjeorgji, ku ai e kritikoi okupimin e Rusisë të territorit gjeorgjian, prej luftës së shkurtër në vitin 2008.