Botë

Evropa në mëdyshje për t’i ndezur dritat e festave

Nga Parisi në Londër, zyrtarët e qyteteve po kufizojnë orët e ndriçimit të dritave të festave dhe shumë prej tyre kanë kaluar në dritat LED më efikase ose burime të rinovueshme të energjisë.

Kënaqësitë e hershme të festave të fundvitit duke pirë verë të zier dhe duke bërë blerje për dekorime mbushën tregun e Krishtlindjeve të Veronës për fundjavën inauguruese. Por përtej tezgave të tregut prej druri, qyteti italian ende nuk i ka zbukuruar me drita vezulluese rrugët e veshura me granit. Zyrtarët italianë ende po debatojnë se sa ndriçim duhet të përdoret në kohën e krizës së madhe energjetike.

Në qytetet anembanë Evropës, zyrtarët janë në udhëkryq pasi çmimet e energjisë janë rritur për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë: ndriçimi i zbehtë i Krishtlindjeve për të përçuar mesazhin e kursimit të energjisë dhe solidaritetit me qytetarët në hall nga faturat më të larta të shërbimeve dhe inflacioni, duke mbrojtur njëkohësisht arkën publike. Ose lërini dritat e ndezura si mesazh pas sfidës dy-vjeçare nga pandemia, me shpresën se do të ketë më shumë gëzim festash.

“Nëse i heqin dritat, mund të fikin edhe Krishtlindjet", ka thënë Estrella Puerto, e cila shet gjësende tradicionale spanjolle ose mbulesa grash, në dyqanin e vogël në Granada të Spanjës. Shton se dekorimet e Krishtlindjeve tërheqin biznesin.

Më pak drita shkëlqejnë që edhe në bredhin qendror në tregun e famshëm të Krishtlindjeve në Strasburg, i cili tërheq 2 milionë njerëz çdo vit, pasi qyteti francez kërkon të reduktojë konsumin e energjisë publike me 10 për qind këtë vit.

Nga Parisi në Londër, zyrtarët e qyteteve po kufizojnë orët e ndriçimit të dritave të festave dhe shumë prej tyre kanë kaluar në dritat LED më efikase ose burime të rinovueshme të energjisë. Zona tregtare në Oxford Street të Londrës shpreson të ulë konsumin e energjisë me dy të tretat duke kufizuar ndriçimin e dritave të saj nga ora 15 deri në 23:00. Edhe në Londër dritat ndriçuese janë LED.

“Në aspektin ekologjik, është zgjidhja e vetme reale”, ka thënë qytetarja e Parisit Marie Breguet, 26 vjeçe, teksa shëtiste në Champs-Elysees, i cili është duke u ndriçuar vetëm deri në orën 23:45, në vend të orës 2 të mëngjesit si në Krishtlindjet e kaluara. “Lufta dhe shtrëngimi i energjisë është realitet. Askush nuk do të lëndohet me pak ndriçime këtë vit”.

Dritat janë fikur edhe përgjatë rrugës Andrassy të Budapestit, e quajtur shpesh si Champs-Elysees e Hungarisë, për të cilën zyrtarët vendosën të mos zbukuronin në më shumë se 2 kilometra drita të bardha si në vitet e kaluara. Ndriçimi gjithashtu po fiket edhe në monumentet e qytetit, duke përfshirë urat mbi lumin Danub.

“Kursimi në ndriçimin dekorativ ka të bëjë me faktin se ne po jetojmë në kohë kur kemi nevojë për çdo pikë energjie”, ka thënë nënkryetari i bashkisë së Budapestit, Ambrus Kiss.

Ai nuk mendon se kursimi i ndriçimit do t'i pengojë turistët të vijnë në qytet, i cili mban dy tregje Krishtlindjesh që tërheqin qindra mijëra vizitorë çdo vit.

“Mendoj se është debat i tepruar”, ka thënë ai.

Dritat festive, të përbëra nga LED këtë vit, gjithashtu do të errësohen nga ora 1 e mëngjesit deri në 6 të mëngjesit në qendrën e qytetit të vjetër të Brasovit në Rumaninë qendrore dhe do të fiken edhe në qytetet tjera.

Kriza, e nxitur kryesisht nga ndërprerja e gazit natyror nga Rusia në Evropë, po vënë në lëvizje shtetet. Në qytetin malor italian të Bornos në Lombardi, çiklistët me biçikleta të palëvizshme do t'i japin energji pemës së Krishtlindjes së qytetit duke ushqyer bateritë me energji kinetike. Çdokush mund të hipë dhe sa më shpejt të pedalojë, aq më të ndritshme janë dritat. Asnjë ndriçim festash nuk do të ketë diku tjetër në qytet për të rritur ndërgjegjësimin për ruajtjen e energjisë, kanë thënë zyrtarët.

Në Itali, shumë qytete tradicionalisht ndriçojnë pemët e Krishtlindjeve në sheshet publike më 8 dhjetor, duke lënë kohë për të hartuar plane për shfaqje festive në rrugë. Zyrtarët në qytetin verior të Veronës po diskutojnë kufizimin e ndriçimit në vetëm disa rrugë kryesore tregtare dhe përdorimin e kursimeve për të ndihmuar familjet në nevojë.