Autoritetet ukrainase kanë nisur punën intensive të shtunën për të rikthyer shërbimet e energjisë elektrike dhe të ujit, pas goditjeve të fundit nga sulmet ushtarake ruse që dëmtuan shumë infrastrukturën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se miliona njerëzve u është rikthyer energjia elektrike që kur ndërprerjet e rrymës përfshinë ditë më parë vendin e goditur nga lufta, raportoi Associated Press të shtunën.
Përleshjet vazhduan në lindje dhe banorët nga qyteti jugor Kherson u drejtuan në veri dhe në perëndim për të ikur pas bombardimeve vdekjeprurëse nga forcat ruse në ditët e fundit.
Sulmet janë parë si përpjekje për hakmarrjen ruse kundër popullit të rrethuar të Ukrainës, pasi trupat ukrainase mbi dy javë më parë çliruan qytetin që kishte qenë në duart e Rusisë për shumë muaj.
“Detyra kryesore e së sotmes, si dhe ditëve të tjera të kësaj jave, është energjia,” tha Zelensky në fjalimin e tij të natës, të premten vonë.
“Nga e mërkura deri më sot kemi arritur të përgjysmojmë numrin e njerëzve që u është ndërprerë energjia elektrike, për të stabilizuar sistemin”, ka shtuar ai.
Ai tha, megjithatë, se ndërprerjet e energjisë vazhduan në shumicën e rajoneve, duke përfshirë Kievin.
“Në total janë prekur më shumë se 6 milionë konsumatorë. Të mërkurën në mbrëmje, pothuajse 12 milionë abonentë u ndërprenë, "shtoi Zelensky.