Botë

Hungaria do ta ratifikojë vitin e ardhshëm anëtarësimin e Finlandës e Suedisë në NATO

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka deklaruar të enjten se Parlamenti hungarez do ta ratifikojë anëtarësimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë, në fillim të vitit të ardhshëm.

Orban ka thënë në një paraqitje para gazetarëve pas një takimi të Grupit Visegrad në Sllovaki se qeveria e tij tashmë ka vendosur që ta mbështesë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, raportoi Reuters të enjten.

“Hungaria do ta mbështesë me siguri anëtarësimin e tyre, pasi Qeveria e ka bërë këtë tashmë, edhe Parlamenti do ta bëjë”, ka thënë Orban.

Hungaria dhe Turqia janë shtetet e vetme anëtare të NATO-s të cilat nuk e kanë dhënë mbështetjen e tyre për anëtarësimin e dy shteteve skandinave në aleancën veri-atlantike.

Qeveria hungareze paraqiti legjislacionin përkatës në korrik, por parlamenti, në të cilin partia qeverisëse e Orban ka një shumicë prej dy të tretave, nuk i ka paraqitur ende dy projektligjet për debat dhe miratim.