Botë

Parlamenti Evropian e shpall Rusinë shtet sponsor të terrorizmit

Parlamenti Evropian e ka caktuar të mërkurën Rusinë shtet sponsor të terrorizmit, duke argumentuar se sulmet e saj ushtarake ndaj civilëve ukrainas dhe objektivave si infrastruktura energjetike, spitalet, shkollat dhe strehimoret, shkelin ligjin ndërkombëtar.

Ligjvënësit evropianë kanë votuar në favor të një rezolute që e quan Rusinë shtet sponsor të terrorizmit.

Siç raportohet, masa është kryesisht simbolike pasi Bashkimi Evropian nuk ka një kuadër ligjor për ta mbështetur atë.

Ndaj vendimit të Parlamentit Evropian ka reaguar Moska zyrtare.

"Unë propozoj përcaktimin e Parlamentit Evropian si sponsor të idiotësisë", shkroi në Telegram zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përshëndeti vendimin e Parlamentit Evropian.

“Rusia duhet të izolohet në të gjitha nivelet dhe të mbahet përgjegjëse në mënyrë që t'i japë fund politikës së saj të gjatë të terrorizmit në Ukrainë dhe në mbarë globin”, shkroi ai në Twitter.

Zelensky u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që ta shpallin Rusinë shtet sponsor të terrorizmit, duke akuzuar forcat e saj për shënjestrimin e civilëve, gjë që Moska e mohon.