Një javë që nga çlirimi i qytetit jugor të Ukrainës, Kherson, banorët nuk mund t'i shpëtojnë kujtimeve të tetë muajve të tmerrshëm që kaluan nën pushtimin rus.
Mungojnë njerëzit. Ka mina kudo, dyqane dhe restorante të mbyllura, mungesë rryme dhe uji, dhe shpërthime ditë e natë, ndërsa forcat ruse dhe ukrainase luftojnë pikërisht përtej lumit Dnieper.
Pavarësisht vështirësive, banorët po shprehin një përzierje lehtësimi, optimizmi dhe madje gëzimi, shkruan Associated Press.
“Edhe frymëmarrja u bë më e lehtë. Gjithçka është ndryshe tani”, ka thënë Olena Smoliana, një farmaciste, sytë e së cilës shkëlqenin nga lumturia teksa kujtonte ditën kur ushtarët ukrainas hynë në qytet.
Popullsia e Khersonit është zvogëluar në rreth 80,000 nga niveli i paraluftës afër 300,000, por qyteti po gjallërohet ngadalë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky doli triumfalisht në rrugë të hënën, duke përshëndetur tërheqjen e Rusisë – një disfatë poshtëruese për presidentin rus, Vladimir Putin, e konsideruar si “fillimi i fundit të luftës”.
Njerëzit nuk kanë më frikë të largohen nga shtëpia ose nuk shqetësohen se kontakti me ushtarët rusë mund të çojë në një qeli burgu ose torture. Ata po mblidhen në sheshet e qytetit - të stolisur me shirita të ngjyrave të flamurit të tyre në çantat dhe xhaketat e tyre, për të rimbushur telefonat, për të mbledhur ujë dhe për të folur me fqinjët dhe të afërmit.
"Nëse i mbijetuam okupimit, do ta mbijetojmë këtë pa asnjë problem”, ka thënë Yulia Nenadyschuk, 53 vjeç, e cila kishte mbetur në shtëpi me burrin e saj, Oleksandr, që nga fillimi i luftës, por tani vjen në qendër të qytetit çdo ditë.
“Privimi më i keq ishte mungesa e lirisë për të qenë vetvetja, që ishte si të ishe në një kafaz. Nuk mund të thuash asgjë me zë të lartë, nuk mund të flasësh ukrainisht. Ne ishim vazhdimisht të vëzhguar, as nuk mund të shikonim përreth”, ka thënë Oleksandr Nenadyschuk, 57 vjeç.
Banorët e Khersonit flasin për "terrorin e heshtur" që përcaktoi pushtimin e tyre, i cili ishte ndryshe nga rrethimet shkatërruese ushtarake që i shndërruan në gërmadha qytetet e tjera të Ukrainës si: Mariupoli, Sievierodonetsku dhe Lysychansku.
Forcat ruse hynë në Kherson në ditët e para të luftës, nga Krimea e afërt, të cilën Moska e aneksoi ilegalisht në vitin 2014, dhe shpejt pushtuan qytetin. Qyteti ishte i vetmi kryeqytet rajonal i pushtuar menjëherë pasi filloi lufta, më 24 shkurt.
Të shtunën, njerëzit prisnin me entuziazëm edhe trenin e parë për të mbërritur në Kherson që nga nisja e luftës. Mykola Desytniakov, 56 vjeç, nuk e ka parë gruan e tij që kur ajo u nis për në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës, me dy vajzat e tyre në qershor. Desytniakov qëndroi prapa për t'u kujdesur për prindërit e tij të sëmurë.
Të shtunën ai po qëndronte te stacioni i trenit për ta pritur gruan dhe fëmijët. Në dorë mbante një lule.
"Ajo do të më qortojë se nuk i pëlqejnë lulet," tha ai për gruan e tij. "Por unë do t'i jap asaj gjithsesi”, shtoi ai.
Ludmila Olhouskaya nuk kishte askënd për të takuar në stacion, por shkoi atje për të treguar mbështetjen e saj.
“Ky është fillimi i një jete të re”, tha 74-vjeçarja, duke fshirë lotët e gëzimit nga faqet e saj.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, një pengesë e madhe për kthimin e njerëzve në Kherson dhe për përpjekjet e rindërtimit, do të jetë pastrimi i të gjitha minave që rusët vendosën brenda zyrave administrative dhe rreth infrastrukturës kritike.
