Botë

New Yorku goditet nga reshje të forta bore, mbyllen rrugët dhe anulohen fluturimet

Banorët e New Yorkut janë goditur nga një stuhi masive e borës që ka mbyllur rrugët, ka nxitur ndalimin e vozitjeve dhe ka anuluar fluturimet një javë para festës së Falënderimeve.

Deri të premten mbrëma mbi 1.5 metër borë kishte mbuluar rrugët. Ndërsa reshjet e borës u intensifikuan, dy banorë vdiqën nga komplikime kardiake të lidhura me përpjekjet e tyre për ta pastruar terrenin me lopata, raportoi CNN.

Meteorologët dhe zyrtarët kanë ngritur alarmin për natyrën e rrezikshme të kësaj stuhie, që ka potencial të jetë ngjarje historike në rajonin e Buffalos ku reshjet e dendura janë normale gjatë muajve të dimrit. Dhe reshjet pritet të vazhdojnë përgjatë javës.

“Reshje historike të borës në mbi 1 metër janë të mundshme në Buffalo, New York. Ajër shumë i ftohtë do ta përcjellë këtë mot”, shkroi Shërbimi Nacional i Motit.

Zyrtarët kanë bërë thirrje të vazhdueshme që të mos injorohen kufizimet për udhëtime.