Botë

Zelensky i drejtohet G20-s: Lufta në Ukrainë të përfundojë menjëherë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë liderëve botërorë në samitin e G20 në Bali se lufta e Rusisë duhet të përfundojë tani.

Ai u lut gjithashtu për një zgjatje të një marrëveshjeje të rëndësishme të eksportit të grurit që do të skadonte së shpejti, raportoi BBC-ja të martën.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shtet ky që është anëtar i G20 - refuzoi të marrë pjesë dhe dërgoi ministrin e tij të jashtëm, Sergei Lavrov atje.

Zelensky u shfaq në samitin që po mbahet në kryeqytetin e Indonezisë, përmes në një video-fjalimi.

"Jam i bindur se tani është koha kur lufta shkatërruese ruse duhet dhe mund të ndalet", ka thënë Zelensky.

Ai përshkroi një sërë strategjish, duke përfshirë sigurimin e sigurisë bërthamore dhe ushqimore, përfundimin e armiqësive dhe parandalimin e përshkallëzimit.

Zelensky vazhdimisht iu drejtua liderëve si "G19" - duke përjashtuar qartë Rusinë.

Kryesorja ndër kërkesat e tij ishte një zgjatje e asaj që njihet si marrëveshja e grurit të Detit të Zi, e cila u arrit në korrik midis Kombeve të Bashkuara dhe Rusisë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) thotë se që nga fillimi i marrëveshjes, 10 milionë tonë drithë dhe ushqime të tjera janë eksportuar me sukses, duke ndihmuar në shmangien e një krize globale ushqimore.

Por marrëveshja skadon më 19 nëntor. Duke folur të martën në një seancë të G20 për sigurinë ushqimore, Zelensky tha se marrëveshja duhet të zgjatet për një kohë të pacaktuar, "pa marrë parasysh se kur përfundon lufta".