Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit ka theksuar se raketat e lëshuara nga Irani në Irakun verior ishin “legjitime”.
Raketat e lëshuara nga Irani synuan bazat e një grupi opozitar kurd iranian në mërgim në Irakun fqinj, duke vrarë një person dhe duke plagosur tetë të tjerë.
Ky ishte i fundit në një seri sulmesh të tilla në javët e fundit.
Duke folur gjatë konferencës së tij të rregullt, Nasser Kanaani tha se sulmi erdhi “pasi Qeveria irakiane dhe qeveria lokale e rajonit kurd nuk i respektuan angazhimet e tyre”.
Numri i viktimave nga sulmi i Iranit në provincën veriore të Sulimaniyahut në rajonin gjysmë autonom të Irakut të drejtuar nga kurdët pritet të rritet, ka bërë të ditur ministri rajonal kurd i Shëndetësisë.
Irani shtoi sulmet kundër grupeve kurde të opozitës të mërguara në Irakun verior në shtator, duke i akuzuar ata për orkestrimin e protestave të vazhdueshme antiqeveritare që kanë përfshirë Iranin gjatë dy muajve të fundit.
Protestat fillimisht u fokusuan në heqjen e shamisë së detyrueshme të kokës ose hixhabit të Iranit, por që atëherë janë shndërruar në thirrje për t’i dhënë fund sundimit klerik të vendit.
Kanaani kritikoi gjithashtu presidentin francez, Emanuel Macron, për takimin me katër disidentë iranianë në Paris.
Aktivistja iraniane-amerikane, Masih Alinejad, së bashku me tri aktiviste të tjera femra u takuan me Macronin për të diskutuar protestat e fundit në Iran, të shkaktuara nga vdekja në paraburgim e një gruaje të re të arrestuar nga policia e moralit të vendit.