Dy gazetare që ishin të rëndësishme në raportimin e vdekjes së Mahsa Amini, gruas 22-vjeçare, vdekja e së cilës në paraburgimin e policisë morale të Iranit ka shkaktuar protesta mbarëkombëtare, janë etiketuar si agjente të huaja të CIA-s nga regjimi iranian, shkruan The Guardian.
Niloofar Hamedi dhe Elahe Mohammadi, të cilat u arrestuan pak pasi u publikuan lajmet për vdekjen e Aminit dhe që thuhet se po mbahen në burgun famëkeq Evin të Iranit, u akuzuan si agjente të huaja në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Ministria e Inteligjencës e Iranit dhe organizata e inteligjencës e Gardës Revolucionare Islamike të premten mbrëma.
Deklarata, e cila u referohet dy grave si NH dhe EM, i përshkroi gjithashtu protestat si një operacion të planifikuar paraprakisht nga CIA, Mossadi dhe agjenci të tjera të inteligjencës perëndimore.
Deklarata, e cila i akuzonte të dyja gratë si “burime parësore të lajmeve për mediat e huaja”, akuzonte Hamedin se po paraqitej si gazetare dhe se kishte detyruar familjen e Mahsa Aminit të jepte informacione për vdekjen e vajzës së tyre.
Hamedi ishte gazetarja e parë që raportoi nga spitali ku Amini po trajtohej pasi ishte në paraburgim nga autoritetet iraniane, të cilat e arrestuan pasi nuk e veshi mirë hixhabin. Fotot e Aminit në koma në shtratin e spitalit dhe të familjes së saj duke ngushëlluar njëri-tjetrin në korridorin e spitalit shkaktuan protestat e para, të cilat më pas u përhapën në të gjithë vendin.
Mohammadi është akuzuar nga IRGC-ja dhe Ministria e Inteligjencës se është trajnuar si agjente e huaj jashtë vendit për raportimin e saj nga funerali i Aminit në qytetin e saj të lindjes, Saqqez.
Mohammadi u arrestua më 22 shtator dhe avokati i saj ka thënë se forcat e sigurisë ia thyen derën dhe i morën sendet personale si telefonin dhe laptopin.
Deklarata, e cila iu dërgua agjencive iraniane të lajmeve të premten në mbrëmje, është pritur me tronditje dhe frikë nga gazetarë të tjerë iranianë. Krimi i spiunimit për qeveritë e huaja dënohet me vdekje në Iran.
Më shumë se 40 gazetarë janë arrestuar që nga shpërthimi i protestave në rrugët anembanë vendit. Agjencia e Lajmeve e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA) vlerëson se më shumë se 220 njerëz kanë vdekur në duart e forcave të sigurisë që nga fillimi i protestave më shumë se gjashtë javë më parë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.