Botë

Më i pasur se familja mbretërore: Pasuria e kryeministrit të ri Sunak merr vëmendje

Rishi Sunak është një prej personave më të pasur në Britani të Madhe dhe do të jetë edhe më i fuqishëm tash pasi është bërë kryeministër i Britanisë.

Mund të jetë rasti i parë në histori kur kryeministri në Britani është më i pasur se mbreti, shkruan “Washington Times”.

Sunak është shumë i pasur. Disa madje kanë shtruar edhe pyetjen nëse pasuria aq e madhe e bën atë të denjë për të qenë kryeministër?

Mirëpo, përkrahësit e tij thonë se është pikërisht kjo që e bën atë më të kualifikuar, pasi ka kaluar me vjet duke bërë para.

Sunak, ish-bankier dhe bashkëshortja e tij Akshata Murty, vajza e miliarderit nga India, N. R. Narayana Murthy, së bashku kanë pasuri afro 730 milionë funte (rreth 830 milionë dollarë), sipas “Sunday Times Rich List”.

Në listën që ishte publikuar këtë vit, pasuria e Mbretëreshës Elizabeth II, para se ajo të vdiste, ishte vlerësuar rreth 370 milionë funte (420 milionë dollarë).

Paratë e çiftit vijnë kryesisht nga aksionet e Akshatas në kompaninë e babait të saj, Infosys. Ajo ka edhe disa aksione në kompani tjera. Çifti ka së paku tri shtëpi në Britani, si dhe një pronë në Santa Monica të Kalifornisë me vlerë 6 milionë dollarë.