Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, deklaroi të dielën se Rusia as që duhet ta mendojë përdorimin e armëve bërthamore, derisa shtoi se SHBA-ja me vendet aleate, duhet t’ia bëjnë me dije këtë shtetit rus.
Sullivan tha për CNN se përdorimi i armëve bërthamore nga ana e Rusisë në ndonjë territor ukrainas, do të nënkuptonte “sulm mbi Ukrainën, pa e ndarë atë si sallam".
“Përdorimi i armëve bërthamore në fushëbeteja në Ukrainë është përdorim i armëve bërthamore në Ukrainë dhe ne nuk e ndajmë atë si sallam. Ideja se ka ndonjë dallim llojeve të aplikimit të armës bërthamore është e rrezikshme”, shtoi Sullivan.
Sipas këshilltarit të presidentit Joe Biden, SHBA-ja, së bashku me vendet aleate, përfshirë edhe Indinë e Kinën, duhet t’ia qartësojnë Rusisë “Se nuk duhet as ta marrë në konsideratë përdorimin e armëve bërthamore në këtë luftë”.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, deklaroi në shtator se përdorimi i armëve bërthamore ose kimike nga Rusia në territorin ukrainas do të kishte pasoja për presidentin rus, Vladimir Putin, por që sipas tij, reagimi amerikan do të varej nga shkalla e dëmit të shkaktuar.
“Do të ketë pasoja. Ata do të jenë më të dëbuar në botë se kurrë më parë. Dhe në varësi të shkallës së asaj që ata bëjnë, ne do të përcaktojmë se cila do të jetë përgjigja”, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Kur presidenti Putin urdhëroi mobilizimin e pjesshëm të 300 mijë rezervistëve drejt fronteve në Ukrainë, deklaroi se Rusia do t’i përdorë të gjitha mjetet “për ta mbrojtur territorin rus”, duke shtuar se përdorimi i armëve bërthamore nuk është blof.
"Ne besojmë," tha Sullivan, "se Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e NATO-s dhe vendet e tjera përgjegjëse, përfshirë Indinë dhe Kinën, duhet t'ia bëjnë të qartë Rusisë se nuk duhet as të konsiderojë përdorimin e armëve bërthamore në këtë konflikt."