Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se është i gatshëm ta rifillojë furnizimin e Evropës me gaz, nëpërmjet sistemit Nord Stream 2.
Siç raportoi mediumi gjerman “Deutsche Welle” të mërkurën, Putini tha se tash “topi” është në anën e Bashkimit Evropian.
“Topi është në fushën e BE-së. Nëse ata duan, atëherë rubinetet mund të hapen dhe kaq”, deklaroi Putin në një forum energjetik në Moskë.
Gjermania u shpreh kundër furnizimit me gaz rus për shkak të agresionit të këtij vendi ndaj Ukrainës.
“Pavarësisht nga sabotimi i mundshëm i dy tubacioneve, ne kemi parë se Rusia nuk është më një furnizues i besueshëm i energjisë”, deklaroi zëdhënësja e Qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann.
Rusia i ndaloi dërgesat e gazit nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream 1 në fillim të shtatorit, me arsyetimin se pati probleme teknike.
Nord Stream 2 nuk u bë kurrë funksional, pasi Gjermania e miratoi ndalimin e tij, pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt. Putini pati deklaruar se është i mundur riparimi i tubacioneve, por që mbetet mes Rusisë dhe Evropës të merren vesh për lëvizje para.
Pushtimi rus i shtyu blerësit evropianë të fillonin procesin e heqjes dorë nga nafta dhe gazi rus, duke kërkuar furnizues alternativë.
Shefi i Gazpromit në Rusi, Alexei Miller, ka deklaruar se gazi në depon e nëndheshme të Gjermanisë, do të jetë i mjaftueshëm për 2 deri në 2 muaj e gjysmë.
Ai paralajmëroi Evropën për pasojat e heqjes dorë nga gazi rus, duke u shpreh se nuk kishte "asnjë garanci" që Evropa do ta mbijetojë dimrin bazuar në kapacitetin e saj aktuale.