Botë

Legjendës iraniane të futbollit i merret pasaporta pasi doli në përkrahje të protestuesve

Futbollistit më të mirë të të gjitha kohërave të Iranit, Ali Daei, i është marrë pasaporta dhe i është ndaluar të largohet nga vendi, pasi ka shprehur mbështetjen e tij për protestat pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgim.

Daei akuzoi regjimin për "dhunë policore" dhe "shtypje të protestuesve" gjatë protestave dhe i bëri thirrje qeverisë iraniane të zgjidhë problemet e popullit iranian në vend që të përdorë represionin, dhunën dhe arrestimet.

“Konfiskimi i pasaportës së Ali Daeit është për shkak të asaj që ai shkroi në Instagram”, shkruan gazeta lokale Hammihan të hënën.

Protestat kanë nisur që nga 16 shtatori, kur u vra një grua iraniane, Mahsa Amini (22), pasi u ndalua nga policia morale e shtetit për shkelje të kodit të veshjes. Disa dhjetëra persona humbën jetën më pas në protesta, ku shumë gra dogjën shamitë e tyre.

Vdekja e Aminit nxiti pakënaqësi të madhe në mesin e iranianëve. Fillimisht është shprehur në rrjetet sociale, e në mesin e atyre që e kanë bërë këtë kanë qenë edhe fytyra të shumta publike të këtij vendi. Mes tyre janë dy ish-futbollistë Ali Karimi, i cili ka luajtur edhe për Bayernin dhe Hossein Mahini.

Deri vonë, Daei ishte golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në fanellën e një kombëtareje me 109 gola, derisa kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, theu rekordin e tij vitin e kaluar.

Duke luajtur për Iranin nga viti 1993 deri në vitin 2006, Daei shënoi 109 gola në 149 paraqitje për ekipin kombëtar dhe ka statusin e heroit kombëtar në vendin e tij.

Gjatë karrierës së tij të pasur, ai luajti edhe në Bundesligë për Arminia Bielefeldin, Bayernn dhe Herthan. /klix