Botë

Bideni fal mijëra amerikanë të dënuar për marihuanë

Presidenti amerikan, Joe Biden, do t’i falë mijëra amerikanë të cilët janë dënuar për “posedim të thjeshtë” të marihuanës, sipas ligjit federal.

Falja e Bidenit vjen në kohën kur administrata e tij po merr hapa dramatik drejt dekriminalizimit të drogës, raportoi Associated Press, të enjten.

Lëvizja e Bidenit mbulon po ashtu mijëra të dënuar për krime në distriktin e Kolumbisë.

Ai ka kërkuar nga guvernatorët që të ndërmarrin hapa të ngjashëm të faljes, për ata që janë dënuar për shkelje shtetërore të marihuanës, të cilat pasqyrojnë shumicën dërrmuese të rasteve të posedimit të marihuanës.

Në një deklaratë, Bideni tha se lëvizja reflekton pozicionin e tij se “se askush s’duhet të mbetet prapa grilave vetëm për përdorim apo posedim të marihuanës”.

“Shumë jetë janë shkatërruar për shkak të qasjes sonë të dështuar ndaj marihuanës. Është koha që t'i korrigjojmë këto gabime”, ka thënë Bideni.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, askush nuk është aktualisht në burg federal vetëm për “përdorim të thjeshtë” të drogës, por falja mund të ndihmojë mijëra njerëz të kapërcejnë pengesat për marrjen me qira të një shtëpie, ose gjetjen e një pune.

"Ka mijëra njerëz që kanë dënime të mëparshme federale për posedim të marihuanës të cilëve mund t'u mohohet punësimi, strehimi ose mundësitë arsimore si rezultat. Veprimi im do të ndihmojë në lehtësimin e pasojave kolaterale që rrjedhin nga kjo”, është shprehur presidenti amerikan.