Botë

Zelensky nxit zemërimin e Kremlinit me thirrjen që NATO të bëjë sulme parandaluese ndaj Rusisë

Rusia i quajti thirrje për luftë botërore deklarimet e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se “NATO-ja duhet të nisë sulme parandaluese, për të pamundësuar çdo përdorim të mundshëm të armëve bërthamore nga Rusia”, ka shkruar të enjten Reuters.

Në reagim, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se deklarimet e tilla përmbajnë pasoja monstruoze.

“Deklaratat e tilla nuk janë gjë tjetër veçse thirrje për të filluar një luftë tjetër botërore me pasoja të paparashikueshme, monstruoze”, deklaroi ai.

Presidenti Zelensky deklaroi për Institutin Lowy të Australisë, se sulmen e NATO-s do të ishin të nevojshme për të parandaluar çdo përdorim të armëve bërthamore, derisa nuk dha detaje se për çfarë lloj sulmesh ka menduar.

“Çfarë duhet të bëjë NATO-ja? Të bëjë të pamundur për Rusinë përdorimin e armëve bërthamore. Unë i bëj edhe një herë thirrje komunitetit ndërkombëtar. Duhen sulme parandaluese në mënyrë që rusët të dinë se çfarë do të ndodhë me ta nëse i përdorin ato (armët bërthamore)”, tha ai.

Kur dha vendimin për nisje të mobilizimit të pjesshëm, presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se nuk përjashton asnjë lloj arme. Dhe shtoi se “kjo nuk është blof”.

“Nëse integriteti territorial i shtetit tonë kërcënohet, për të mbrojtur Rusinë dhe njerëzit tanë, ne do të përdorim të gjitha resurset që kemi. Nuk është një blof. Integriteti territorial i mëmëdheut tonë, pavarësinë dhe liria do të sigurohen, e përsërisë me gjitha mjetet që kemi. Ata që tentojnë të na shantazhojnë me armë nukleare, duhet ta dinë se erërat mbizotëruese mund të kthehen në drejtimin e tyre”, ka thënë Putin javë më parë.