Një zyrtar rus në Ukrainë ka deklaruar të enjten se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, duhet të bëjë vetëvrasje për turpin në luftën e Ukrainës.
Pas më shumë se shtatë muaj lufte në Ukrainë, synimet më themelore të luftës së Rusisë ende nuk janë arritur, ndërsa forcat ruse kanë pësuar një sërë humbjesh në fushëbetejë muajt e fundit, duke e detyruar Putinin të shpallë një mobilizim të pjesshëm, raportoi Reuters të enjten.
Kirill Stremousov, nënkryetari rus i rajonit të aneksuar Kherson, e dha sugjerimin e tij në një video-mesazh katër minutësh, duke qortuar publikisht "gjeneralët dhe ministrat" në Moskë për moskuptimin e problemeve në front.
Kritika të tilla publike dhe abuzive ndaj shefave ushtarakë të Putinit brenda sistemit dikur ishin jashtëzakonisht të rralla në Rusi, por një seri humbjesh në fushëbetejë në Ukrainë, ka bërë që disa nga aleatët e Putinit të kritikojnë gjeneralët e lartë.
Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov dhe Yevgeny Prigozhin, themelues i grupit mercenar Wagner, talleshin me gjeneralët, duke thënë se ushtria është e mbushur me nepotizëm dhe se oficerët e lartë duhet të lirohen nga gradat e tyre dhe të dërgohen zbathur në vijat e frontit për të shlyer mëkatet e tyre.
Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, një nga aleatët më të ngushtë të Putinit, u emërua në vitin 2012. Marrëdhënia e tyre ishte aq e ngushtë sa të dy burrat kalonin rregullisht pushimet së bashku në pyjet e vendlindjes së Shoigut, Tuva.
Nuk ishte e qartë nëse kritikat ishin të koordinuara, megjithëse ato përbëjnë një problem për Putinin në një moment vendimtar të luftës.
Shumë nacionalistë rusë e kanë kritikuar vazhdimisht Shoigun dhe gjeneralët e tij kryesorë për gjithçka, nga planifikimi i dobët dhe logjistika sipërfaqësore, deri te taktikat shkatërrimtare dhe humbja e luftës së informacionit, pavarësisht investimeve masive.
Javën e kaluar, dy gjeneralë në pension, të cilët tani janë anëtarë të Dumës Shtetërore nga partia Rusia e Bashkuar e Putinit, shtuan zërin e tyre në korin e kritikave, duke akuzuar ministrinë e Mbrojtjes për korrupsion dhe pandershmëri.