Një pacient i kujdesit intensiv mund të ketë qenë gjallë kur u transferua në një morg në Perth të Australisë, sipas pretendimeve që po hetohen nga gjykata e mjekësisë ligjore, shkruan AP.
Gjykata ka konfirmuar se po heton akuzat, të raportuara fillimisht nga Business News, të cilat përfshijnë pretendimet që një doktori iu kërkua të kthente certifikatën e vdekjes së burrit pasi u përpjek ta mbulonte incidentin.
Është njoftuar se Gjykata nuk do të bëjë publike asgjë nga hetimi.
Në raportin e Business News thuhet se pacienti ishte ende gjallë kur u vendos në një çantë trupi për t’u dërguar në morg pa u lëshuar një certifikatë vdekjeje natën e 5 shtatorit.
Doktorit iu kërkua të vërtetonte vdekjen e pacientit një ditë më vonë. Por në rrobat e pacientit u zbulua gjak i freskët. Madje, sytë e burrit ishin të hapur, dy gjymtyrë ishin zhvendosur nga pozicioni dhe çanta me trupin e tij ishte e hapur, sipas raportit.
Stafi tjetër mjekësor i dolën në krahë doktorit, i cili e kishte shkruar se pacienti kishte vdekur më 6 shtator – pavarësisht se në morg u dërgua natën e 5 shtatorit.
Rasti u zbulua nga drejtori i morgut, i cili e vuri në pikëpyetje datën në certifikatën e vdekjes. Ai i kërkoi doktorit të përfshirë që të kthente prapa datën e vdekjes.
Doktori e refuzoi dhe la punën e tij në spital.
Ministria e Shëndetësisë australiane është zotuar për hetim të plotë të incidentit që e kanë cilësuar si thellësisht shqetësues.