Botë

Putini pretendon aneksimin e rajoneve të tjera ukrainase

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar dokumentet përfundimtare për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, ndërsa ushtria e tij po ka vështirësi për të kontrolluar territorin e ri që u shtua në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.

Zyrtarët ukrainas kanë raportuar për zbulimin e provave të reja të torturave dhe vrasjeve në zonat që kanë rimarrë nga forcat ruse.

Dokumentet që finalizojnë aneksimin u publikuan në faqen e qeverisë ruse, ndërkohë Kremlini mbajti derën hapur për marrje të tokave të tjera të Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “territore të caktuara do të rimerren dhe ne do të vazhdojmë konsultimin me banorët që janë të etur për ta përqafuar Rusinë”.

Peskov nuk specifikoi se në cilat territore të tjera e ka syrin Moska dhe nuk tregoi nëse Kremlini ka planifikuar organizimin e “referendumeve” të tjera të tilla.

Putini javën e kaluar ka nënshkruar traktate për bashkimin e Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhzhias, rajone të Ukrainës, me Rusinë. Aneksimi pasoi me “referendumet” e orkestruara nga Kremlini në Ukrainë të cilat qeveria ukrainase dhe Perëndimi i kanë quajtur të paligjshme.