Botë

10 të vdekur e mbi 20 të zhdukur nga orteku në Himalajet Indiane

Të paktën 10 persona janë gjetur të vdekur dhe rreth 20 të tjerë janë ende të zhdukur, pasi një ortek goditi një ekip alpinistësh në Himalajet Indiane, shkroi të mërkurën BBC-ja.

34 kursantë dhe shtatë instruktorë po praktikonin punën në terren kur u goditën nga orteku gjatë zbritjes së tyre nga një majë në shtetin verior të Uttarakhandut.

Siç ka njoftuar policia, 14 persona kanë arritur të shpëtohen. Forcat ajrore të Indisë po ndihmojnë në përpjekjet e shpëtimit.

Punonjësit e shpëtimit kanë njoftuar se autoritetet janë alarmuar rreth orës 09:30 të martën, ndërsa përpjekjet e kërkimit janë ndërprerë gjatë natës për shkak të reshjeve të shiut dhe borës dhe kanë rifilluar të mërkurën.

“Sot janë gjetur gjashtë trupa dhe deri më tani janë gjetur gjithsej 10”, ka thënë shefi i policisë së Uttarakhand, Ashok Kumar.