Autoritetet ruse në Krimenë, e aneksuar nga Rusia nga Ukraina në vitin 2014, kanë gjobitur një mis të rajonit, pasi kishte kënduar një këngë ukrainase, raporton BBC.
Olga Valeyeva u akuzua për diskreditim të Ushtrisë së Rusisë dhe promovim “të simboleve ekstremiste”, pasi në një video u pa ajo duke kënduar një këngë të popullarizuar në mesin e nacionalistëve ukrainas.
Valeyeva, që tha se nuk ishte në dijeni për asocimin e këngës, u gjobit me 40 mijë rubla ruse (rreth 680 euro).
Një grua e dytë që kishte kënduar po ashtu këngën është burgosur për dhjetë ditë.
Ministria e Brendshme e Krimesë ka postuar një video ku shihen dy gratë duke kërkuar falje për këngën.
Valeyeva 34-vjeçare ka fituar garën e Miss Krimea 2022 të mbajtur në Sevastopol në fund të majit.
“Unë thjeshtë këndova një këngë ukrainase pa e ditur kuptimin”, ka thënë Valeyeva.