Pamjet e një treni rus që transportonte pajisje të armëve bërthamore në kohën kur Rusia po e humb kontrollin mbi rajonet e aneksuara në lindje të Ukrainës, kanë ndezur panik në të gjithë Evropën, por ekspertët thonë se mund të mos jetë koha e duhur për parashikime apokaliptike.
Treni është filmuar diku në Rusinë qendrore, dyshohet se shkon drejt Ukrainës dhe pajisjet e filmuara i përkasin departamentit të Ministrisë së Mbrojtjes ruse që merret me ruajtjen, mirëmbajtjen, transportin dhe sigurinë e armëve bërthamore, shpjegoi eksperti ushtarak, Konrad Muzyka, shkruan portali “Jutarnji” të martën.
A do të thotë kjo se Putini po përgatitet të përdorë këto armë në të ardhmen e afërt? Sipas analistëve, kjo nuk është saktësisht e vërtetë. Dhe duke qenë se asgjë nuk ndodh rastësisht në Rusi, kjo video nuk u zbulua rastësisht në publik në një kohë kur rusët po regjistronin humbje në Ukrainë.
Megjithatë, eksperti ushtarak e lëshon topin në tokë dhe ofron tri arsye të mundshme pse një tren me ngarkesë të rrezikshme po lëviz drejt Ukrainës.
“Arsyeja e parë është se Putini dëshiron t'i tregojë Perëndimit se situata në Ukrainë definitivisht është përshkallëzuar. Dy arsyet e tjera janë shumë më realiste. Vjeshta është koha e zakonshme për stërvitjet e Forcave Raketore Strategjike të njësive ruse, kështu që ato ndoshta po i transferojnë pajisjet në vendin e stërvitjes. Nuk duhet të anashkalojmë stërvitjen ushtarake ‘Grom’, e cila zhvillohet në tetor dhe ‘treni bërthamor’ është vetëm një pjesë e atyre stërvitjeve”, ka shpjeguar Muzyka.
Megjithatë, analistët ndërkombëtarë sugjerojnë se ka më shumë gjasa që presidenti rus Vladimir Putin të tregojë gatishmërinë e tij për të dërguar armët bërthamore në Detin e Zi. Një burim i lartë i mbrojtjes pohon se çdo përdorim i armëve bërthamore është një rrezik i madh, sepse diçka gjithmonë mund të shkojë keq.
"Mund të ketë një shkrepje të gabuar dhe një kokë bërthamore mund të godasë një qytet rus pranë kufirit ukrainas-rus si Belgorod. Putinit atëherë do t’i duhet të rrisë intensitetin e konfliktit”, tha burimi për “The Times”.
Kohëve të fundit, nacionalistë brenda Rusisë i kanën bërë thirrje Putinit të përdor armë bërthamore taktike. Këto armë nuk janë të ndaluara me konventa ndërkombëtare, ndryshe nga ato bërthamore strategjike. Megjithatë, edhe armët bërthamore taktike mund të shkaktojnë pasoja, madje më të mëdha se ato që SHBA-ja hodhi në fund të Luftës së Dytë Botërore në Japoni.