Botë

Zelensky me dekret e shpall të pamundur mundësinë e çdo bisede me Putinin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar një dekret duke e shpallur zyrtarisht të pamundur mundësinë e çdo bisede me presidentin rus, Vladimir Putin, shkruan Sky News të martën.

Megjithatë ai la të hapur derën për bisedime me Rusinë.

Dekreti zyrtarizoi komentet e bëra nga Zelensky të premten, pasi presidenti rus shpalli katër rajone të okupuara të Ukrainës si pjesë e Rusisë, në atë që Kievi dhe Perëndimi thanë se ishte një farsë.

“Ai (Putini) nuk e di se çfarë është dinjiteti dhe ndershmëria. Prandaj, ne jemi gati për një dialog me Rusinë, por me një president tjetër të Rusisë”, tha Zelensky të premten.

Dekreti u firmos në kohën kur forcat ukrainase depërtuan përmes mbrojtjes ruse në jug të vendit dhe zgjeruan një ofensivë të shpejtë në lindje, duke rikthyer territorin në zonat e aneksuara nga Rusia.