Botë

15 të vdekur nga një përleshje mes të burgosurve në Ekuador

Të paktën 15 të burgosur kanë mbetur të vdekur si pasojë e një përleshjeje që ndodhi në një nga burgjet më të mëdha të Ekuadorit, në Latacunga.

Agjencia kombëtare e burgjeve Snai, tha se të burgosurit kanë luftuar me armë dhe thika, përpara se rojet të arrinin të rifitonin kontrollin, raportoi BBC-ja të martën.

Burgu ndodhet 80 km në jug të kryeqytetit Quito.

Ekuadori ka pasur një sërë përplasjesh vdekjeprurëse midis bandave të drogës në burgje.

Agjencia e lajmeve Efe thotë se më shumë se 400 të burgosur kanë vdekur në ato përleshje që nga viti 2020.

Mediat ekuadoriane raportojnë se mes të vrarëve në përleshjen në burgun Cotopaxi të Latacunga ishte një bos i dyshuar i bandës së drogës, Leandro Norero. Ai u arrestua në maj me akuzën e pastrimit të parave.

Dhuna e fundit shpërtheu pas një regjistrimi të të burgosurve. Ajo erdhi menjëherë pasi ekspertët e OKB-së për parandalimin e torturës vizituan Ekuadorin, për të vlerësuar përpjekjet e tij për të frenuar dhunën në burgje.

Në prill, presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në tri provinca për të frenuar dhunën e lidhur me bandat e lidhura me trafikun e drogës. Një emergjencë e ngjashme u shpall vitin e kaluar.

Luftërat e terrenit midis bandave ekuadoriane që luftojnë për kontrollin e rrjeteve fitimprurëse të kokainës kanë vënë një tendosje të madhe në sistemin e burgjeve, me burime të pamjaftueshme dhe të mbipopulluara.

Përplasja më e rëndë në burg ishte në qytetin port Guayaquil, në shtator të vitit të kaluar, kur vdiqën më shumë se 120 të burgosur.

Vitin e kaluar policia e Ekuadorit sekuestroi 190 tonë drogë, kryesisht kokainë, që paraqet rekord për këtë vend.