Botë

NATO: Putinin e presin “pasoja të rënda” nëse i përdor armët bërthamore

Descriptive Text

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar “pasoja të rënda” për Rusinë nëse presidenti Vladimir Putin, do t'i përdorë armët bërthamore ndaj Ukrainës.

Stoltenberg deklaroi të dielën për “NBC” se çdo përdorim i armëve bërthamore “do ta ndryshonte natyrën e konfliktit në Ukrainë”.

“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë. Ky është një mesazh që NATO-ja dhe aleatët e NATO-s ia përcjellin qartë Rusisë”, tha tutje ai.

Reagim të tillë pati edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që ditë më parë deklaroi se Amerika nuk do të qëndrojë duarkryq karshi kërcënimeve ruse.

Udhëheqësit perëndimorë besojnë se ky kërcënim është rritur që nga e premtja, kur presidenti Putin aneksoi zyrtarisht pjesë të Ukrainës lindore dhe jugore, duke i shpallur territore ruse.