Botë

Bullgaria mban zgjedhjet e parakohshme të dielën

Bullgaria po mban zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme këtë të diel, për herë të katërt në më pak se dy vjet.

Këto zgjedhje janë përpjekja e tretë për të formuar një qeveri në këtë vend, e cila dështoi këtë verë.

Ky vend është dëmtuar nga paqëndrueshmëria politike që kur qeveria e kryeministrit Kiril Petkov u rrëzua në një votë mosbesimi në qershor, shkruan Anadolu Agency.

22 parti politike dhe gjashtë koalicione janë në garë për 240 ulëset e parlamentit bullgar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i këtij vendi, njoftoi se procesi i votimit do të zhvillohet në mënyrë digjitale në 9,400 vende brenda Bullgarisë dhe 290 jashtë vendit.

Qendrat e votimit janë hapur nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 19:00.

Sondazhet e kryera në fillim të fushatës zgjedhore treguan se të paktën tetë fuqi politike mund të kalonin pragun prej 4% të hyrjes në parlamentin e 48-të të Bullgarisë.

Partia Qytetarët për Zhvillim Evropian të Bullgarisë e ish-kryeministrit Bojko Borisov, i cili drejtoi vendin për 12 vjet me intervale të shkurtra deri në vitin e kaluar, pritet të fitojë më shumë vota.

Partia Ne Vazhdojmë të Ndryshojmë, e bashkëkryesuar nga Petkov, ishte e dyta në parlament, sipas sondazheve.

Partia Socialiste Bullgare pro-ruse është midis forcave të tjera me mundësinë për të hyrë në parlament së bashku me Bullgarinë Demokratike dhe Ngritjen Bullgare të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Stefan Yanev.

Gjithashtu, Mustafa Karadayi, kryetar i partisë Lëvizja për të Drejta dhe Liri, shumica e anëtarëve të së cilës janë turq dhe myslimanë, pritet të jetë në mesin e katër fuqive më të mëdha të parlamentit në zgjedhje.