1 perditesime
15:22

Putin i bën thirrje Ukrainës për armëpushim

Presidenti rus Vladimir Putin i bëri thirrje Ukrainës për një armëpushim të menjëhershëm dhe luftën "të cilën ata e filluan më 2014". Deklarata e Putinit u bë gjatë kohës kur shpalli paligjshëm të aneksuara katër rajone ukrainase, shkruan Reuters. 

Ai ka thënë se për armëpushimin në tavolinë nuk do të diskutohej çështja e katër rajoneve të aneksuara paligjshëm. 

“Kievi duhet të kthehet në tryezën e bisedimeve. Ne jemi të hapur ndaj këtij skenari dhe e kemi theksuar shumë herë”, ka thënë Putin.

Por, sipas Putinit, Kievi duhet të pranojë vullnetin e popullit, duke iu referuar referendumeve të rreme që u zhvilluan në rajonet e pushtuara që janë aneksuar sot.

"Ne do të mbrojmë vendin tonë me të gjitha forcat tona dhe do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur sigurinë e njerëzve", shtoi Putin.

Ai foli gjithashtu për armët bërthamore, duke thënë se SHBA-ja krijoi një precedent kur hodhën bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai i dërgoi një mesazh Perëndimit në lidhje me krizën energjetike.

“Nuk mund t'i ushqesh njerëzit me dollarë dhe euro. Nuk mund të ngrohësh shtëpitë e njerëzve me gënjeshtrat që përhap në rrjetet sociale. Ju nuk mund t'i ngrohni njerëzit me vlerësime të fryra - ju nevojiten burime energjie”, shtoi ai.

Putin theksoi se Rusia dëshiron të jetë udhëheqëse e 'lëvizjes anti-koloniale' për të çliruar botën.

“Duhet ta mbyllim këtë faqe të turpshme. Hegjemonia perëndimore duhet të thyhet. Kjo është e pashmangshme. Ne duhet ta bëjmë këtë për popullin tonë, Rusinë e madhe historike”, deklaroi Putin.

15:00

Putin: Perëndimi lakmitar, do që të na shohë si skllevër

Perëndimi 'lakmitar' nuk ka nevojë për Rusinë, por ne kemi nevojë - Putin

Putini e ka përshkruar Perëndimin si "lakmitar", duke thënë se dëshiron që Rusia të jetë "kolonia" e tij.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse Perëndimi po bën një "luftë hibride" kundër Rusisë, raportoi BBC-ja të premten.

"Ata nuk duan të na shohin një shoqëri të lirë. Ata duan të na shohin si një turmë skllevërish”, është shprehur Putini gjatë fjalimit të tij në Kremlini, ku shpalli zyrtarisht territore ruse katër rajone të Ukrainës.