Botë

BE-ja bie dakord t’i ngarkojë me taksa firmat e energjisë

Bashkimi Evropian ka rënë dakord të vendosë masa urgjente duke i ngarkuar firmat e energjisë në fitimet e tyre rekord.

Ministrat kanë rënë dakord për taksat e papritura për kompani të caktuara energjetike si dhe shkurtime të detyrueshme në përdorimin e energjisë elektrike, raportoi BBC-ja të premten.

Plani përfshin një taksë mbi fitimet e tepërta të firmave të karburanteve fosile dhe një taksë mbi të ardhurat e tepërta të bëra nga rritja e kostove të energjisë elektrike.

Paratë e mbledhura pritet të shkojnë për familjet dhe bizneset.

Por blloku është i ndarë rreth asaj se si të kufizohet çmimi i shitjes me shumicë të gazit.

Kjo po ndodh në kohën kur Evropa po përgatitet për një dimër të vështirë për shkak të krizës së kostos së jetesës dhe shtrëngimit të furnizimeve globale të energjisë. Blloku kryesisht po përpiqet të heqë dorë nga energjia ruse.

Një taksë e papritur vendoset nga një qeveri ndaj një kompanie për të synuar firmat që kishin fatin të përfitonin nga diçka për të cilën nuk ishin përgjegjës - me fjalë të tjera, një fitim i papritur.

Firmat e energjisë po marrin shumë më tepër para për naftën dhe gazin e tyre sesa vitin e kaluar, pjesërisht për shkak se kërkesa është rritur ndërsa bota del nga pandemia dhe së fundmi për shkak të shqetësimeve të furnizimit për shkak të luftës ruse në Ukrainë.