Botë

Uragani Ian la pasoja të mëdha në Florida: Kjo është stuhia më e madhe që kemi parë ndonjëherë

Descriptive Text

Uragani Ian, i cili ka goditur të mërkurën në mbrëmje zonën e Floridës ka shkaktuar dëme të shumta dhe sipas informacioneve të fundit i është afruar bregdetit si uragan i kategorisë 4 me erëra deri në 241 km/h, shkruan BBC.

Nga raportimet e mediave amerikane, uragani duke iu afruar brigjeve të Floridës ka prishur çatitë e shtëpive, veturat dhe shumë banesa janë shkatërruar plotësisht.

Përveç objekteve të banimit, dëme janë raportuar edhe në spitalin në Port Charlotte.

"Për ne, sado e tmerrshme të duket e gjithë kjo dhe sado të rraskapitur të jemi, më e rëndësishmja është që pacientët tanë të jenë mirë dhe të mos vdesë askush. Kjo është e rëndësishme", ka thënë Birgit Bodine, mjeke në këtë spital.

Për stuhinë foli edhe guvernatori i Floridës.

"Uragani Ian është stuhia më e madhe që ka parë ndonjëherë Shtetet e Bashkuara jugperëndimore. Ai sjell me vete shumë rreziqe në sfond. Ne u kemi thënë njerëzve të kenë kujdes kur stuhia të kalojë", u shpreh guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.

Pasi goditi bregdetin, uragani vazhdoi të lëvizte në brendësi të tokës dhe u dobësua në kategorinë 2 brenda gjashtë orëve, dhe meteorologët deklaruan se gjatë ditës stuhia do të humbiste më tej forcën.

“Parashikohet që uragani të lëvizë më në verilindje dhe të enjten pasdite do të arrijë në brigjet e Oqeanit Atlantik”, sipas mediave amerikane.

Deri më tani, autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende informacione për shkallën e plotë të dëmeve pas uraganit. Edhe pse nuk pati asnjë të vdekur në Shtetet e Bashkuara, uragani Ian la të vdekur dy persona në Kubë.