Botë

Inteligjenca britanike e sheh me dyshim mobilizimin e ri rus

Descriptive Text

Inteligjenca britanike njoftoi se dhjetëra mijëra thirrje janë shpërndarë në Rusi për t’iu bashkëngjitur trupave ruse në luftime ndaj Ukrainës. Sipas njoftimit të publikuar të hënën, Britania e Madhe bën të ditur se Rusia do të përballet me një sfidë administrative dhe logjistike për t’iu ofruar trajnimeve trupave të rekrutuar ditëve të fundit.

“Ndryshe nga shumica e ushtrive perëndimore, ushtria ruse ofron trajnime fillestare të nivelit të ulët për ushtarët brenda njësive operacionale, në vend që institucionet e dedikuara t’i kryejnë ato trajnime”, thuhet në njoftim.

Shumë nga trupat që do të përfshihen në luftë nuk kanë pasur asnjëherë përvojë ushtarake, thuhet tutje nga Britania.

Të mërkurën (21 shtator), Rusia inicioi një mobilizim të pjesshëm me qëllim të rekrutimit të 300 mijë trupave ruse. Nga Ukraina u tha se Rusia po synon t’i mobilizojë 1 milion trupa, derisa SHBA0ja deklaroi se është e gatshme t’i kundërpërgjigjet Rusisë në rast të ndonjë sulmi bërthamor.

Me paralajmërimin për mobilizim të ri, mijëra rusë u nisën drejt kufijve për t'u larguar nga shteti. Mobilizimi u kundërshtua edhe nëpërmjet protestave, ku mijëra rusë "pushtuan" qendrat e qyteteve, me thirrjet për të mos u angazhuar në luftë. Mbi dymijë protestues u arrestuan, e të arrestuarit do të dërgohen dhunshëm në luftë.