Botë

“Perlat” e Muzeut të CIA-s

Gazetarët janë lejuar që të hyjnë në muzeun e CIA-s që përmban modele dhe gjësende të tjera që janë përdorur për të kryer aksionet më të sofistikuara. Pjesë e ekspozitës janë edhe planet për vrasjen e udhëheqësve të Al-Qaedas

Agjencia qendrore e inteligjencës amerikane (CIA) ka prezantuar modelin e shtëpisë ku po fshihej lideri i al-Qaedas, Ayman al-Zawahri, para se CIA ta vriste atë në sulmin me dron në Afganistan.

Pak ditë pas vrasjes së liderit terrorist, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë publikuar një fotografi të presidentit Joe Biden duke folur me drejtorin e CIA-s, William Burns. Para vetes kishin një model prej druri.

Tani, krejt elementet e asaj kutie prej druri – model i shtëpisë së bardhë me pesë kate dhe tre ballkone – janë pjesë e muzeut të CIA-s brenda selisë qendrore të agjencisë në Virginia.

Muzeu është i mbyllur për publikun dhe qasja në të është kufizuar vetëm për punëtorët dhe mysafirët e agjencisë së inteligjencës amerikane.

CIA ka lejuar filmimin nga disa gazetarë. Kjo është bërë në muzeun e restauruar për 75-vjetorin e agjencisë, si pjesë e përpjekjeve për të shfaqur historinë dhe arritjet e saj.

Shumë prej pjesëve të muzeut janë dashur vite e dekada që të deklasifikohen.

Shtëpia model e Al-Zawahrit është artefakt i rrallë që është përdorur nga inteligjenca pak javë para aksionit.

Krye-terroristi i vra në muajin korrik.

Sulmi me dron kishte domethënie të madhe për CIA-n që kishte humbur shtatë punëtorë në përpjekje për të zbuluar vendndodhjen e Al-Zawahrit, i cili kishte rol kyç në sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001. Atë kohë ishte i dyti pas Osama bin Ladenit.

Punëtorët e CIA-s u vranë kur një doktor nga Jordania u shtir se kishte informacione për Al-Zawahrin dhe shpërtheu bombën në bazën në qytetin Khost të Afganistanit. Doktori po punonte për Al-Qaidan.

Pjesë e ekspozitës në këtë muze është edhe shtëpia model e Bin Ladenit, në të cilën u krye aksioni për vrasjen e tij në Pakistan gjatë vitit 2011.

CIA dëshiron të përdorë historinë e saj për t’u lidhur me publikun, por në gjëra të kufizuara.

Për shembull, numri i vizitorëve vjetorë të muzeut është i klasifikuar.

Në mesin e mysafirëve të këtij muzeu kanë qenë ligjvënës amerikanë, zyrtarë të agjencive të tjera të inteligjencës amerikane dhe zyrtarët e huaj.