Botë

Pritje të gjata nëpër kufijtë rusë, të rinjtë nuk duan të luftojnë

Eksodi i rusëve ka vazhduar në dy ditët e fundit. Pasi nuk ka bileta aeroplani, rusët tani ua kanë mësyrë pikave kufitare me Gjeorgjinë dhe Finlandën me qëllim që të shmangin thirrjen për luftë. Ata pas kalimit të kufijve kanë guxuar të shprehen kundër luftës që po bën Rusia në Ukrainë

Pritje dhe kolona të gjata janë krijuar nëpër pikat kufitare mes Rusisë dhe shteteve fqinje. Tollovia në pikën kufitare mes Rusisë dhe Gjeorgjisë është nxitur pas njoftimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për mobilizim ushtarak në pushtimin e Ukrainës.

Kolona në kufirin me Gjeorgjinë ishte e gjatë 10 kilometra. Rusët që kanë kaluar andej kufirit kanë thënë se u vjen keq për atë që po ndodh në Ukrainë.

“Problemi nuk është se kemi frikë, por nuk na pëlqen kjo situatë. Nuk më pëlqen ajo që po bën ushtria në Ukrainë. Më vjen keq për vëllezërit ukrainas. Kam të afërm atje dhe nuk më pëlqen krejt kjo situatë”, ka thënë Maxim Khatuntsev, shtetas rus, i cili ka ikur në drejtim të Gjeorgjisë.

“Po ikim nga regjimi që vret njerëz. Së pari filloi të vriste brenda vendit, tani po vret njerëz jashtë kufijve të tij”, ka thënë rusi David, i cili nuk ka dashur të identifikohet plotësisht për shkak të frikës nga përndjekja.

Pritje të gjata nuk kishte në kufirin rus me Finlandën, por kishte numër më të madh se zakonisht të rusëve që kalonin kufirin. Shumica prej tyre ishin të moshës për ushtri.

Ata kanë thënë se ikën për të shmangur fatin e atyre që papritur kanë marrë ftesën për të luftuar në Ukrainë.

“Është tragjedi. Është e vështirë të përshkruhet ajo që po ndodh në Rusi. Më vjen keq për ata që janë detyruar të luftojnë. Kam dëgjuar se njerëzit kanë marrë ftesat teksa po ecnin nëpër rrugë – është gjë e frikshme”, ka thënë Valery pasi ka kaluar kufirin me Finlandën.

Rusët që kishin viza Schengen mund të kalonin me automjete ose të hipnin në autobus drejt qyteteve tjera finlandeze.

Rojat kufitare të Finlandës kanë bërë të ditur të premten se numri i rusëve që kanë hyrë në shtetin skandinav është ngritur ndjeshëm.

Zyrtarët finlandezë kanë thënë se numri i kalimeve nga Rusia në Finlandë është rritur për 107 për qind vetëm të premten.

Gjeorgjia është një nga opsionet e fundit të mbetura tokësore për rusët pa pasur nevojë për vizë në hyrje.

Kufijtë e Kazakistanit dhe Mongolisë janë gjithashtu të hapur, por Gjeorgjia është më afër Bashkimit Evropian. Estonia, Letonia dhe Lituania i kanë mbyllur të gjitha kufijtë e tyre për shumicën e qytetarëve rusë. Edhe Finlanda tha se kufiri i saj do të mbyllet së shpejti.

Në fillim të kësaj jave mijëra rusë kanë blerë bileta njëdrejtimëshe për të ikur nga shteti kurdo që munden pas thirrjes së presidentit rus për mobilizimin e rezervistëve për luftën në Ukrainë.

Kërkesat dhe çmimet për bileta janë ngritur ndjeshëm në dy ditët e fundit. Ikja është nxitur nga frika e mbylljes së kufijve të Rusisë.

Biletat nga Moska në Beograd kanë qenë më të kërkuarat. Është raportuar se për këtë drejtim nuk do të ketë bileta deri në muajin tetor. “Air Serbia” dhe ajo e Turqisë janë të vetmet që vazhdojnë të kenë fluturime drejt Rusisë me gjithë embargon evropiane për këto fluturime.