Botë

Scholzi shkon në Arabi në kërkim të marrëveshjeve energjetike

Descriptive Text

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ishte kritikuar në muajin korrik për takimin me princin saudit të kurorës, në kohën e dyshimeve se ai është i përfshirë në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Së fundmi, me princin Bin Salman janë takuar edhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, të shtunën ka arritur në Arabinë Saudite për ndalesën e parë dyditore në Lindjen e Mesme, me qëllim që të arrijë marrëveshje të reja energjetike dhe t’i forcojë aleancat në kohën e mjegullës ekonomike dhe gjeopolitike si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.

Qeveria gjermane, që prej dhjetorit të vitit të kaluar ia ka mësyrë që ta largojë ekonominë më të madhe të Evropës nga gazi, thëngjilli dhe nafta ruse. Teksa importet nga Rusia janë tkurrur që prej vitit të kaluar, ka pasur shqetësime se Gjermania, ashtu si shtetet e tjera evropiane, do të përballen me mungesë të madhe të energjisë elektrike gjatë muajve të dimrit.

Furnizimi me gaz është njëra prej arsyeve që Scholzi ka marrë rrugën drejt Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit. Ka marrë me vete delegacion të madh biznesi dhe zyrtarësh të lartë.

Zyrtarët gjermanë, në kushte anonimiteti, kanë thënë se Scholzi ka ngritur shqetësimet për të drejtat e njeriut kur është takuar me princin e fuqishëm të kurorës, Mohammed bin Salmanin, në Jeddah.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ishte kritikuar në muajin korrik për takimin me princin saudit të kurorës, në kohën e dyshimeve se ai është i përfshirë në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Së fundmi, me princin Bin Salman janë takuar edhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Natyrisht se udhëtimi është duke u mbikëqyrur nga afër dhe do të përballemi me partnerë të vështirë”, ka thënë një zyrtar gjerman. “Mirëpo nuk mund t’i refuzojmë takime dhe bashkëpunime të tilla”.

“Në botën me 193 shtete dhe dallime ët mëdha, nuk është vetëm kancelari gjerman, por shumë lider të tjerë që janë në kërkim të bisedimeve dhe të krijojnë aleanca të reja dhe të forcojnë ato të vjetrat”, ka thënë zyrtari gjerman.

Nga Arabia Saudite, lideri gjerman ka fluturuar drejt Abu Dhabit. Atje është takuar me presidentin Sheik Mohammed bin Zayed Al Nahyan të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ka nënshkruar marrëveshjen për energjinë. Gjatë bisedimeve, ata kanë adresuar edhe nikoqirllëkun e shtetit për bisedimet klimatike të vitit të ardhshëm.

Stacioni i fundit është Doha. Scholzi do të takohet me emirin e Katarit, Sheikun Tamim bin Hamad Al Thani. Me të do të bisedojnë për problemet rajonale, siç janë tensionet me Iranin dhe organizimin e Kampionatit Botëror në futboll.

Zyrtarët gjermanë kanë thënë se të gjitha marrëveshjet e energjisë do të jenë në parim me planet e shtetit që të bëhet neutrale nga karboni deri në vitin 2045. Ky plan obligon shtetin gjerman të kalojë nga gazi natyral në hidrogjen të prodhuar nga energjia e ripërtërirë në dekadat e ardhshme. Arabia Saudite, e cila ka numër të madh gjeneratorësh me fuqi diellore, shihet si furnizuesja më e përshtatshme për hidrogjen.