Rregullat, të cilat datojnë në ditët pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, zbatohen nga policia e moralit. Forca, e njohur zyrtarisht si Patrulla e Udhëzimit, është e vendosur nëpër zona publike. Kjo forcë policore përbëhet nga burra dhe gra
Protestat kanë shpërthyer në të gjithë Iranin ditët e fundit pasi një grua 22-vjeçare vdiq ndërsa mbahej nga policia e moralit për shkelje të kodit islamik të veshjes, të zbatuar rreptë në këtë vend.
Vdekja e Mahsa Aminit, e cila ishte kapur nga policia morale e Iranit për mosmbajtje të shamisë ose hixhabit e saj të pretenduar, ka shkaktuar shfaqje të guximshme mosbindjeje, përballë rrahjeve dhe arrestimeve nga autoritetet në Iran.
Në protestat në rrugë, disa gra hoqën shamitë e tyre, duke i rrotulluar në mënyrë demonstrative në ajër. Videot në internet treguan dy gra duke hedhur hixhabet e tyre në zjarr. Një tjetër grua shihet duke prerë flokët në shenjë proteste.
Shumë iranianë, veçanërisht të rinjtë, e kanë parë vdekjen e Aminit si pjesë e mbikëqyrjes së ashpër policore në Republikën Islamike dhe trajtimit gjithnjë e më të dhunshëm të grave të reja nga policia morale.
Në disa nga demonstratat, protestuesit u përleshën me policinë dhe tymi i dendur i gazit lotsjellës u pa duke u ngritur në kryeqytetin Teheran. Protestuesit, gjithashtu, u ndoqën dhe u rrahën me mjete të forta nga Basijit me motoçikletë ose vullnetarë në Gardën Revolucionare paraushtarake të Iranit.
Basij i ka shtypur me dhunë protestat në të kaluarën, duke përfshirë ato mbi të drejtat për ujin dhe ekonominë në kolaps të vendit.
Megjithatë, disa demonstrues ende brohorasin “vdekje diktatorit”, duke vënë në shënjestër sundimin e liderit suprem, Ali Khamenei, dhe teokracinë e Iranit, pavarësisht kërcënimit për arrestim, burgim dhe madje edhe mundësinë e një dënimi me vdekje.
Shtrirja e trazirave të vazhdueshme të Iranit, më e keqja në disa vjet, mbetet ende e paqartë, pasi protestuesit në të paktën dhjetëra qytete – duke shfryrë zemërimin për shtypjen sociale dhe krizat në rritje të vendit – vazhdojnë të ndeshen me forcat paraushtarake dhe ato të sigurisë.
Për ta parandaluar përhapjen e protestave, operatori më i madh i telekomunikacionit iranian e ka mbyllur qasjen e internetit në telefona, ka bërë të ditur Netblocks, grup që monitoron qasjen në internet, duke i përshkruar kufizimet si më të rëndat që nga viti 2019.
Një spikere në televizionin shtetëror të Iranit ka pretenduar se numri i të vdekurve nga protestat masive mund të jetë deri në 17, por nuk u përmend se si arriti këtë shifër. “Fatkeqësisht, 17 persona dhe oficerë policie të pranishëm në skenën e këtyre ngjarjeve humbën jetën”, ka thënë spikerja, duke shtuar se statistikat zyrtare do të publikohen më vonë.
Në një vend ku stacionet e radios dhe televizionit tashmë janë të kontrolluara nga shteti dhe gazetarët përballen rregullisht me kërcënimin e arrestimit, Garda Revolucionare paraushtarake i ka kërkuar gjyqësorit të ndjekë penalisht “këdo që përhap lajme të rreme dhe thashetheme” në mediat sociale për trazirat. Ndërprerje të përhapura ka pasur edhe në Instagram dhe WhatsApp, të cilat përdoren nga protestuesit.
Çka i shkaktoi protestat?
Policia morale e Iranit e arrestoi Aminin më 13 shtator në Teheran, ku ajo ishte për vizitë nga vendlindja e saj në rajonin perëndimor kurd të vendit. Ajo u ndal në një stacion policie dhe vdiq tre ditë më vonë.
Policia e ndaloi atë për mbajtjen e hixhabit shumë të lirshëm. Irani kërkon që gratë të mbajnë shaminë në një mënyrë që t'i mbulojë plotësisht flokët e tyre kur janë në publik. Vetëm Afganistani nën sundimin taleban tani zbaton në mënyrë aktive një ligj të ngjashëm. Arabia Saudite ultra-konservatore refuzoi zbatimin e saj gjatë viteve të fundit.
Policia mohon të jetë keqtrajtuar Amini dhe thotë se ajo ka vdekur nga sulmi në zemër. Presidenti Ebrahim Raisi, i cili ka folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të mërkurën, ka premtuar një hetim.
Familja e Aminit thotë se ajo nuk kishte histori me probleme në zemër dhe se ata u penguan të shihnin trupin e saj përpara se të varrosej. Demonstratat shpërthyen pas funeralit të saj në qytetin kurd të Saqezit të shtunën dhe u përhapën shpejt në pjesë të tjera të vendit, përfshirë Teheranin.

Trajtimi i grave në Iran
Gratë iraniane kanë qasje të plotë në arsim, punojnë jashtë shtëpisë dhe mbajnë poste publike. Por atyre u kërkohet të vishen në mënyrë modeste në publik, që përfshin veshjen e hixhabit, si dhe veshjet e gjata dhe të lirshme. Burrat dhe gratë e pamartuara janë të ndaluar të përzihen.
Rregullat, të cilat datojnë në ditët pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, zbatohen nga policia e moralit. Forca, e njohur zyrtarisht si Patrulla e Udhëzimit, është e vendosur nëpër zona publike. Kjo forcë policore përbëhet nga burra dhe gra.
Zbatimi u lehtësua nën ish-presidentin, Hassan Rouhani, një i moderuar relativ i cili në një moment akuzoi policinë e moralit se ishte tepër agresive. Në vitin 2017, kreu i forcës kishte thënë se nuk do të arrestonte më gratë për shkelje të kodit të veshjes.
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se gratë e reja janë goditur me shuplakë në fytyrë, janë rrahur me mjete të forta dhe janë futur në automjetet e policisë muajt e fundit.
Reagimi i shtetit
Udhëheqësit iranianë janë zotuar t’i hetojnë rrethanat e vdekjes së Aminit, ndërsa akuzojnë vendet e huaja të paidentifikuara dhe grupet e opozitës në mërgim për marrjen e saj si një pretekst për të nxitur trazira. Ky ka qenë një model i zakonshëm në protestat që shpërthyen vitet e fundit.
Klerikët qeverisës të Iranit i shohin Shtetet e Bashkuara si një kërcënim për Republikën Islamike dhe besojnë se miratimi i zakoneve perëndimore minon shoqërinë. Vetë Khamenei i ka sekuestruar të ashtuquajturat protesta “me ngjyra” në Evropë dhe gjetkë si ndërhyrje të huaja - dhe jo si njerëz që demonstrojnë për më shumë të drejta.
Tensionet kanë qenë veçanërisht të larta që kur ish-presidenti Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin dhe vendosi sanksione gjymtuese. Administrata e Bidenit ka punuar me aleatët evropianë për dy vitet e fundit për të ringjallur marrëveshjen, por negociatat duken të bllokuara pasi ekspertët e mospërhapjes paralajmërojnë se Irani ka uranium mjaft të pasuruar për një bombë bërthamore nëse vendos të ndërtojë një të tillë. Republika Islamike këmbëngul se programi i saj është paqësor.
Guvernatori i Teheranit tha të mërkurën se autoritetet arrestuan tre shtetas të huaj në protestat në kryeqytet, pa dhënë detaje. Forcat iraniane të sigurisë kanë arrestuar të paktën 25 persona, dhe guvernatori i provincës së Kurdistanit thotë se tre persona janë vrarë nga grupet e armatosura në trazirat e lidhura me protestat, pa dhënë detaje.
Aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë fajësuar forcat iraniane të sigurisë për vrasjen e protestuesve në demonstrata të tjera, si ato për çmimet e benzinës në vitin 2019.

Rrëzimi i qeverisë
Klerikët qeverisës të Iranit kanë përballuar disa valë protestash që dalin prej dekadash, duke i shuar përfundimisht ato me forcë brutale.
Sfida më serioze ndaj sundimit të klerikëve ishte Lëvizja e Gjelbër që u shfaq pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të vendit në vitin 2009 dhe bëri thirrje për reforma të gjera; miliona iranianë dolën në rrugë.
Autoritetet u përgjigjën me një goditje brutale, me Gardën Revolucionare dhe policinë Basij që hapën zjarr ndaj protestuesve dhe nisën valë arrestimesh. Liderët e opozitës u vendosën në arrest shtëpiak.
Midis të vrarëve ishte Neda Agha Soltan, një grua 27-vjeçare që u bë një ikonë e lëvizjes protestuese pasi u qëllua dhe u gjakos për vdekje në një video të parë nga miliona në mediat sociale.
Përktheu: Forca Jashari