Botë

Del videoja që tregon përplasjet e rekrutimit në Rusi: “Përse po bërtisni si vajza të vogla?!”

Një video ka nxjerrë në pah se si duket në të vërtetë rekrutimi i ushtarëve në Rusi, pasi presidenti Vladimir Putin shpalli “mobilizimin e pjesshëm”. Videoja, që ende s’dihet në cilin qytet rus është incizuar, tregon burrat e mobilizuar që qëndrojnë në një sallë e që marrin shpjegime nga një zyrtar ushtarak se si do të funksionojnë procedurat e rekrutimit.

Siç shihet në video, ushtarakët e ardhshëm ndërhyjnë zyrtarin ushtarak që u qëndron përpara dhe përpiqet t’ua shpjegojë procedurat. Pakënaqësitë shpërthejnë e shpërfaqen me piskamat e zyrtarit.

“Përse po bërtitni si vajza të vogla? Mbylleni gojën dhe silluni si duhet!” dëgjohet të thotë zyrtari i nervozuar. “Ndaluni dhe dëgjojeni”, thotë një tjetër zyrtar që përpiqet të qetësojë turmën e të rekrutuarve.

“Po përpiqem t’u tregoj, por s’po më lini, po bërtitni”, u thotë zyrtari kryesor teksa kërcen nga skena. “Po ju them se tash jeni ushtarë. Kaq. Loja ka marrë fund. Të gjithë tani jeni në ushtri. Jeni këtu për tre ditë, pastaj fluturoni, dhe më pas dy javë ushtrime”.

Ai ka shpjeguar se të rekrutuarit do të paguhen mirë e se vendet e tyre të punës do të ruhen.

Video e publikuar në Twitter ka marrë miliona klikime e është bërë virale./Jutarnji

Presidenti rus Vladimir Putin shpalli të mërkurën mobilizimin e pjesshëm ushtarak. Putini synon që t'i çojë 300 mijë rezervistë për të luftuar në Ukrainë. Kjo ka nxitur pakënaqësi në Rusi, ku pati edhe protesta, të cilat u shtypën shpejt nga policia. Shumë rusë janë larguar nga vendi nga frika se do të dërgohen në luftë.