Botë

Katër të vdekur pas një shpërthimi afër një xhamie në Afganistan

Të paktën katër persona u vranë dhe 10 u plagosën nga një shpërthim pranë një xhamie në kryeqytetin afgan, Kabul, ndërsa besimtarët po dilnin nga lutjet e së premtes, shkruan Reuters.

Shpërthimi ishte i fundit i një serie vdekjeprurëse që synonte xhamitë gjatë lutjeve të së premtes, disa prej tyre të pretenduara nga grupi militant Shteti Islamik.

“Pas lutjeve, kur njerëzit donin të dilnin nga xhamia, ndodhi një shpërthim”, ka thënë zëdhënësi i policisë së Kabulit, Khalid Zadran. "Të gjitha viktimat janë civilë, numri i saktë nuk është ende i qartë".

Spitali i Urgjencës ka thënë se kishte marrë në trajtim 14 persona nga shpërthimi, nga të cilët katër vdiqën në mbërritje.

Shpërthimi ndodhi në Wazir Akbar Khan, një zonë që dikur ishte shtëpia e 'zonës së gjelbër' të qytetit, vendndodhje e shumë ambasadave të huaja dhe NATO-s, por tani e kontrolluar nga talebanët në pushtet.

Xhamia ka qenë objektiv i sulmeve në të kaluarën, duke përfshirë një shpërthim në qershor të vitit 2020 përpara se talebanët të ktheheshin në pushtet. Ai sulm vrau imamin e xhamisë dhe plagosi disa njerëz.