Botë

Rasti “Peskov” ekspozon të vërtetën e hidhur për ushtrinë ruse: Djemtë e të fuqishmëve s’do të shkojnë në luftë

Një telefonatë që filloi si një shaka përfundoi si një zbulim tragjik se si do të funksiononte mobilizimi në Rusi pas urdhrit të presidentit Vladimir Putin për trupa shtesë në luftën ndaj Ukrainës.

YouTuberi i njohur Dmitry Nizovstev, telefonoi Nikolay Peskovin, djalin e zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, dhe u përpoq ta mashtronte duke u paraqitur si një oficer ushtarak që po i bënte thirrje për mobilizim.

Deklaratat e Peskovit të ri ilustrojnë me saktësi atë që ndodh në çdo luftë - ata që nuk kanë krahë të fortë duhet të shkojnë në front, ndërsa fëmijët e të fuqishmëve janë gjithmonë të mbrojtur nga rreziku.

Pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi mobilizimin e 300 mijë rezervistëve në gjithë territorin e vendit, djali i një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të njeriut të parë të Kremlinit, Dmitry Peskov, ishte ylli kryesor i mashtrimit që vërtetoi atë që po ndodh në shoqërinë ruse.

Nikolai Peskov (32), djali i zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, mori një telefonatë dhe në anën tjetër të telefonit ishte YouTuberi Nizovstev, i cili u paraqit në mënyrë të rreme si oficer ushtarak.

Nizovstev i shpjegoi Peskovit se po e thërriste për shkak të mobilizimit, pas së cilës Nikolay belbëzoi dhe filloi të shpjegonte pse nuk do të shkonte në luftë. Ai e bëri të qartë se do të shfrytëzonte lidhjet në Kremlin për të mos u mobilizuar.

Biseda mes Peskovit dhe Nizovstev është regjistruar drejtpërdrejt në emisionin "Popular Politics" në YouTube, një kanal i lidhur me liderin e opozitës ruse Alexei Navalny.

Biseda

YouTuberi: Përshëndetje. Të mos e mbyllim telefonin, si herën e kaluar.

Peskovi: Pse po më thërret?

YouTuberi: Sepse zoti Peskov, sot ju dërguam ftesë për rekrutim në mënyrë elektronik. Por ju nuk jeni përgjigjur ende.

Peskov: Sigurisht që nuk do të jem atje në orën 10. Duhet ta kuptoni që unë jam z. Peskov. Nuk është vërtet e drejtë që unë të jem atje (në zyrën e rekrutimit).

Peskov deklaroi gjithashtu se ka "nuanca politike" në thirrje pa shpjeguar se babai i tij është zëdhënësi i Putinit dhe nënkryetari i administratës së Kremlinit.

Mobilizimi tashmë ka filluar

Ndërsa Peskovi i ri po shijon jetën, burrat e mobilizuar anembanë Rusisë po largohen nga fshatrat dhe qytetet e tyre të lindjes, të shoqëruar nga vajtimet dhe lotët e familjeve të tyre.

Në rrjetet sociale janë publikuar video të shumta nga pjesë të ndryshme të Rusisë, ku shfaqen burra që hyjnë në autobusë për të shkuar në qendrat komanduese të ushtrisë.

Ata shoqërohen nga familjarë, kryesisht bashkëshorte dhe fëmijë, të cilët janë të dëshpëruar për shkak të vendimit të fundit të autoriteteve ruse.

Dëshpërimi që po mbretëron në të gjithë Rusinë ishte i dukshëm edhe në protestat që u organizuan të mërkurën në pjesë të ndryshme të vendit. Pasi Vladimir Putin shpalli mobilizim të pjesshëm dhe detajet u zbuluan nga ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, rusët u rebeluan kundër shkuarjes në luftë.

Më shumë se 1,311 persona në 38 qytete u arrestuan në të gjithë Rusinë në protestat kundër mobilizimit, tha Lëvizja ruse për të drejtat e njeriut OVD-Info. Ata deklaruan se mes tyre të paktën 502 persona u arrestuan në Moskë dhe 524 persona në Shën Petersburg.

Në rrjetet sociale dhe në mediat e rralla të opozitës në Rusi, u publikuan video që tregojnë policinë duke arrestuar protestuesit, ndërsa thërrisnin slogane kundër Putinit.

Vendimi për mobilizim të pjesshëm nxiti po ashtu ikjen e rusëve të pasur nga vendi. /"Nova"