Botë

Babai i 22-vjeçares së vrarë iraniane: Doja ta shihja trupin e vajzës, por nuk më lejuan

Descriptive Text

Babai i Mahsa Amini, gruas 22-vjeçare, vdekja e së cilës ka bërë që të organizohen protesta të shumta në të gjithë Iranin, ka akuzuar autoritetet për gënjeshtra.

Amjad Amini, në një intervistë për BBC-në të enjten, ka treguar se si nuk është lejuar ta shikonte raportin e autopsisë së vajzës së tij.

Ai njoftoi se dëshmitarët i kanë thënë familjes se 22-vjeçarja ishte rrahur në paraburgim nga policia, por autoritetet iraniane e kanë mohuar këtë.

Mahsa Amini u arrestua, pasi dyshohet se ka thyer rregullat për bartjen e shamisë.

Gruaja kurde nga qyteti veriperëndimor i Saqezit, vdiq në spital në Teheran të premten, pasi i kaloi tri ditë në koma.

Autoritetet iraniane thonë se Amini nuk u keqtrajtua, por pësoi sulm në zemër, pasi u arrestua në Teheran nga policia morale e vendit.

Por babai i saj ka treguar se vëllai 17-vjeçar i të ndjerës, Kiarash, i cili ishte aty kur ajo u ndalua, tha se ajo ishte rrahur.

"Djali im ishte me të. Disa dëshmitarë i thanë djalit tim se ajo ishte rrahur në furgon dhe në stacionin e policisë. Djali iu lut që mos ta merrnin, por edhe ai u rrah, iu grisën rrobat. Kam kërkuar që t’i tregojnë incizimet e kamerave trupore të oficerëve të sigurimit, më kanë thënë se kamerat nuk kanë bateri”, ka thënë babai i 22-vjeçares së ndjerë.

Amini tha gjithashtu se është penguar vazhdimisht nga stafi mjekësor që të shihte trupin e vajzës së tij pas vdekjes së saj.

“Doja të shihja vajzën time, por nuk më lanë të hyja”, tha ai.

Gjatë rrëfimit të ngjarjes, ai zbuloi se kur ka kërkuar ta shihte raportin e autopsisë, mjeku i ka thënë se do të shkruajë çfarë të dëshironte.

Protestat për vdekjen e Mahsa Amini janë përhapur në mbi 20 qytete të mëdha në Iran.

Amini e pa trupin e vajzës së tij vetëm pasi ishte mbështjellë për varrim, ku dukeshin vetëm këmbët dhe fytyra e saj.

“Kishte mavijosje në këmbët e saj”, tha ai.

Amini kritikoi gjithashtu pretendimet se vajza e tij kishte probleme shëndetësore që mund të kishin kontribuar në vdekjen e saj.