Të paktën 31 civilë janë vrarë që nga fillimi i protestave në Iran, të shkaktuara nga vdekja e një gruaje 22-vjeçare, pasi ajo u arrestua nga policia morale, njoftoi të enjten organizata e Iranit për të Drejtat e Njeriut (IHR) me qendër në Oslo.
"Populli iranian doli në rrugë për të luftuar për të drejtat e tij themelore dhe dinjitetin njerëzor dhe autoritetet iu përgjigjën atyre protestave paqësore me plumba”, tha drejtori i IHR-së, Mahmood Amiry-Moghadam, pas gjashtë ditësh demonstrata.
Garda Revolucionare e Iranit të enjten, i bëri thirrje gjyqësorit të vendit që të dënojë ata "që përhapin lajme të rreme dhe thashetheme" për 22-vjeçaren Mahsa Amina.
“Kemi kërkuar nga organet e drejtësisë që të identifikojnë ata që përhapin lajme të rreme dhe thashetheme në rrjetet sociale, si dhe ata në rrugë që kërcënojnë sigurinë psikologjike të shoqërisë, ndaj të cilëve duhet të merren masa vendimtare”, thuhet në njoftimin e Gardës.
22-vjeçarja vdiq në paraburgim, pasi u arrestua javën e kaluar nga policia për mosbindje ndaj rregullit të hixhabit. Dëshmitarët pohojnë se policia e ka marrë me një automjet dhe e ka rrahur.
Protestuesit në Teheran dhe qytete të tjera iraniane ua vunë flakën stacioneve të policisë dhe automjeteve më herët të enjten dhe protestat nuk tregojnë shenja të zbutjes. Gjatë protestave, gratë po ua vënë zjarrin shamive në shenjë kundërshtimi për mbajtjen e detyrueshme të tyre.
Për të premten, sipas mediave lokale, u paralajmëruan tubime në mbështetje të autoriteteve konservatore iraniane.