Në kohë kur kombi i tij vazhdon të jetë në luftë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do t’i drejtohet botës edhe një herë të mërkurën, përmes një adresimi online në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Adresimi i tij para udhëheqësve të OKB-së vjen vetëm disa orë pasi Rusia njoftoi për mobilizim të pjesshëm të ushtrisë së saj, për të vënë në dispozicion më shumë burime për luftën, raportoi Associated Press të mërkurën.
Në të njëjtën ditë kur liderët e dy prej vendeve më të ndjekura në botë – presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe presidenti iranian, Ebrahim Raisi do të ngrihen për të thënë fjalën e tyre, Volodymyr Zelensky do të bëhet i vetmi lider që i lejohet të flasë pa u paraqitur.
Asambleja prej 193 anëtarësh votoi javën e kaluar për të lejuar Zelenskyn të mbajë një fjalim të regjistruar paraprakisht, për shkak të nevojës së tij për t'u marrë me luftën. Presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të liderëve botërorë.
Ukraina ka qenë në qendër të vëmendjes në asamble, me lider pas lideri botëror që dënon Rusinë për sulmin e një kombi sovran. Lufta, e cila tashmë ka lënë mijëra të vrarë, po rrit çmimet e ushqimeve në mbarë globin, duke shkaktuar gjithashtu rritje të kostove të energjisë, një çështje kjo veçanërisht shqetësuese në kohën kur po afrohet dimri.
Ajo gjithashtu ka ngritur frikën për një katastrofë bërthamore në centralin më të madh bërthamor të Evropës në juglindjen e Ukrainës, tani të pushtuar nga Rusia.
-
21 shtator 2022 18:34
-
Shpërndaje në: