Botë

Hungarezet detyrohen t’i dëgjojnë rrahjet e zemrës së fetusit përpara abortit

Gratë hungareze që duan të abortojnë do të detyrohen të dëgjojnë rrahjet e zemrës së fetusit përpara se ta kryejnë procedurën, sipas një ndryshimi të ri në ligj të shpallur të martën, shkroi “Euronews”.

Ky vendim i marrë nga ministri i Brendshëm, Sandor Pinter, detyron gratë shtatzëna që kërkojnë ndërprerje të shtatzënisë që fillimisht të marrin një raport nga gjinekologu, duke deklaruar se ato janë përballur me funksionet vitale të fetusit.

Ligji do të hyjë në fuqi më 15 shtator.

Deputetja hungareze e ekstremit të djathtë, Dora Duro, e cila ka bërë fushatë për ndryshimin e ligjit, e mirëpret vendimin në një postim në Facebook.

“Qeveria ka bërë një hap drejt mbrojtjes së të gjitha fetuseve nga ngjizja, pasi do të kalojnë të paktën disa sekonda kur një fetus mund të komunikojë me nënën e tij duke dëgjuar rrahjet e zemrës së tij përpara se të kryhet një abort”, shkroi ajo.

Abortet në Hungari janë të ligjshme që nga vitet 1950. Në shumicën e rasteve, procedura mund të kryhet deri në javën e 12-të të shtatzënisë, por ka përjashtime ku kjo mund të zgjatet deri në 24 javë.

Politikanët hungarezë, grupet e shoqërisë civile dhe eurodeputetët e kanë kritikuar vendimin.

“Qeveria hungareze po ndalon abortin në heshtje, pa u konsultuar me gratë. Edhe një herë, vetëm burrat vendosin fatet”, tha deputetja e opozitës Timea Szabo.

Organizata joqeveritare, Amnesty International, e quajti ndryshimin ligjor një hap shqetësues.

“Ky vendim i marrë pa asnjë konsultim do ta bëjë qasjen ndaj abortit më të vështirë dhe do të traumatizojë më tej gratë tashmë në situata të vështira", u tha gazetarëve zëdhënësi, Aron Demeter.