Botë

Nis “pastrimi” i qytetit të çliruar në Ukrainë

Kryetari i bashkisë së Izyumit në Ukrainë, Valery Marchenko, deklaroi se qyteti tashmë edhe në duar të vendasve, e ushtria ukrainase po bën “pastrimin nga mbetjet ruse”, raportoi BBC-ja të hënën.

Ai deklaroi se situata është e qetë, por që banorët ende nuk do të mund të kthehen në vendbanimet e tyre.

“Do të kërkojmë bashkëpunëtorë. Do të duhen edhe rreth 10 ditë, e pas kësaj, banorët e larguar mund të kthehen sigurt në qytet”, tha Marchenko.

Ai shtoi se dy të tretat e qytetit u larguan kur nisi ofensiva ruse, ndërsa pjesa më e madhe e vendbanimeve u bombarduan.

“Që nga marsi, kur pushtuesit bombarduan me aeroplanë dhe artileri, qyteti ynë u shkatërrua, ndërtesat e larta dhe infrastruktura u dëmtuan”, shtoi tutje.

Në shumicën e zonave aktualisht nuk ka furnizim me energji elektrike, gaz dhe ujë.

“Ushtarët tanë po instalojnë starlink (rrjet interneti v.j.) dhe po ua mundësojnë vendasve komunikimin me të dashurit e tyre”, shtoi Marchenko.

Pos kësaj, Izyum ka telashe edhe me ngrohjen pasi të gjitha kaldajat u bombarduan.