Lideri i Çeçenisë i emëruar nga Kremlini, Ramzan Kadyrov, ka kritikuar udhëheqjen e ushtrisë ruse lidhur me luftën që ka nisur më 24 shkurt në Ukrainë, raporton të dielën “The Guardian”.
Kadyrov ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të mos jetë në dijeni për gjendjen reale të situatës.
“Ata kanë bërë gabime dhe mendoj se do të nxjerrin përfundimet e nevojshme. Nëse sot apo nesër nuk bëhen ndryshime në strategji, do të detyrohem të flas me udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe me udhëheqjen e vendit për t'ua shpjeguar situatën reale në terren. Është një situatë shumë interesante. Është befasuese, do të thosha unë”, ka thënë Kadyrov në një audiomesazh të postuar në kanalin e tij në Telegram.
Që nga pushtimi në shkurt, Kremlini ka tentuar t’i heshtë zërat liberalë që kritikojnë luftën, por “ka pranuar” kritikat nga krahu i djathtë i Putinit, Kadyrovi.
Kadyrov është një nga figurat e pakta politike ruse, i cili lejohet të japë mesazhe kritikuese.
© KOHA.