Botë

BE-ja planifikon t’i vërë kufi çmimit të gazit rus pavarësisht kërcënimit të Putinit

Bashkimi Evropian ka propozuar kufizimin e çmimit të gazit rus, disa orë pasi lideri rus, Vladimir Putin, e dënoi idenë duke e quajtur atë një marrëzi.

Çmimet e energjisë janë rritur në vazhdën e luftës ruse në Ukrainë, duke detyruar shtetet e BE-së për veprim të shpejtë, raportoi BBC-ja të mërkurën.

“Ne duhet të shkurtojmë të ardhurat e Rusisë, të cilat Putini po i përdor për të financuar këtë luftë mizore”, tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Por Putini ka thënë se Moska do të reagonte ndaj një kufiri, duke ndalur plotësisht furnizimet.

"Ne nuk do të furnizojmë me gaz, naftë, qymyr, apo naftë për ngrohje, nuk do të furnizojmë asgjë nëse kjo shkon kundër interesave të Rusisë", ka thënë Putini.

Udhëheqësit evropianë kanë akuzuar Moskën se po e shfrytëzon si armatim gazin në përgjigje të sanksioneve perëndimore ndaj individëve dhe bizneseve ruse.

Ndonëse Kremlini mohon të jetë kështu, gazsjellësi i madh “Nord Stream 1” në Gjermaninë veriore është mbyllur për kohë të pacaktuar.

Javën e kaluar, grupi i shteteve G7 njoftoi për vendosjen e një kufiri të çmimit për naftën ruse, një veprim për të cilin tha se do të reduktonte të ardhurat e Moskës për luftën e saj në Ukrainë dhe inflacionin në Perëndim.