Botë

Qindra fëmijë të vrarë e të zhdukur në Ukrainë

Që nga nisja e luftës, 382 fëmijë ukrainas janë vrarë nga forcat ruse, e 740 të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve, raportoi BBC-ja të martën.

Autoritetet njoftuan se qëkur nisi agresioni rus, 236 fëmijë janë zhdukur, derisa fati i tyre thuhet se lidhet me zhvillimet e luftës.

Vetëm gjatë marsit, një muaj pasi nisi agresioni rus, u regjistruan 121 fëmijë të vrarë në Ukrainë.

Organizatat botërore për fëmijë kishin nisur që në shkurt evakuimin e fëmijëve dhe të grave nga territori ukrainas. Miliona gra e fëmijë kaluan kufirin, e një pjesë e madhe ndaloi në Poloni.

UNICEF-i pati ngritur alarmin që fëmijët të ikin nga Ukraina pasi mund të bien pre e trafikimit.

“Lufta në Ukrainë po çon në zhvendosje masive dhe flukse refugjatësh – kushte që mund të çojnë në një rritje të konsiderueshme të trafikimit të qenieve njerëzore dhe një krizë akute të mbrojtjes së fëmijëve. Fëmijët e zhvendosur janë jashtëzakonisht të cenueshëm ndaj ndarjes nga familjet e tyre, shfrytëzimit dhe trafikimit”, ka deklaruar më 19 mars Afshan Khan, drejtor rajonal i UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore.