Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vlerësuar se Rusia tani ka në posedim dronë iranianë të aftë për armë, të cilët mund të vendosen në fushën e betejës në Ukrainë, kanë thënë të martën zyrtarët e administratës së Bidenit për CNN-in.
Sipas tyre, rusët kanë marrë dronët nga një aeroport iranian në fillim të këtij muaji dhe i kanë transportuar përsëri në Rusi me aeroplanë mallrash gjatë mesit të gushtit.
Raportohet se zyrtarët rusë kanë filluar stërvitjen për dronët në Iran në fund të muajit korrik, ndërsa tani SHBA-ja beson se Rusia ka blerë dhe transferuar zyrtarisht dronët e serisë Mohajer-6 dhe Shahed, Shahed-129, Shahed-191, për t’i përdorur në luftën në Ukrainë.
Të dy llojet e mjeteve ajrore pa pilot, janë të afta të mbajnë municione të drejtuara me saktësi dhe mund të përdoren për vëzhgim.
Zyrtarët thonë se operatorët rusë janë ende duke u trajnuar për dronët brenda Iranit dhe SHBA-ja beson se Rusia synon të importojë qindra prej tyre.
Përdorimi i dronëve iranianë mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në fushën e betejës, pasi Rusia synon të zbusë ndikimin e sistemeve raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS) që SHBA-ja dhe aleatët e saj i kanë ofruar Ukrainës.