Kompania shtetërore ruse “Rosatom” do të nisë ndërtimin e dy reaktorëve të rinj bërthamorë në një termocentral në Hungari, shkroi të hënën “Euronews”.
Marrëveshja u zyrtarizua pasi Zyra Kombëtare e Energjisë Bërthamore e Hungarisë dha miratimin për zgjerimin e planifikuar.
Projekti i zgjerimit do të kushtojë rreth 12.5 miliardë euro në total, me 10 miliardë euro të paguara nga rusët si pjesë e një kredie dhe 2.5 miliardë euro që do të paguhen nga qeveria hungareze.
Siç raportohet, ndërtimi mund të fillojë brenda pak javësh.
Ministri hungarez i Punëve të Jashtme, Peter Szijjarto, ka theksuar rëndësinë e reaktorëve të rinj për të ardhmen energjetike të Hungarisë.
"Tani është më e qartë se kurrë se vendet që kanë termocentrale bërthamore mund të ndihen më të sigurta për sa i përket furnizimit të tyre me energji. Sa më i madh të jetë kapaciteti i energjisë bërthamore i një vendi, aq më i sigurt do të jetë në të ardhmen”, ka thënë ai.
Bashkimi Evropian e ka sanksionuar ekonomikisht Rusinë për luftën e saj në Ukrainë dhe po largohet nga gazi dhe nafta ruse, por Hungaria është një nga vendet evropiane që nuk i ka mbështetur këto sanksione ose i ka kundërshtuar deri në fund dhe synon të sigurojë furnizimet e ardhshme energjetike të vendit me këtë zgjerim.